Imzot Padoveze: bashkësia katolike turke ta dëshmojë Ungjillin pa frikë
(04.02.2009 RV)Përfundon të enjten
vizita “ad Limina” e ipeshkvijve të Turqisë në Vatikan. Prelatët ishin dje në audiencë
tek Papa Benedikti XVI, i cili i këshilloi besimtarët e krishterë e myslimanë të punojnë
së bashku për paqen e drejtësinë. Ati i Shenjtë u kërkoi gjithashtu, autoriteteve
të Ankarasë të njohin juridikisht Kishën Katolike. Por cili është realiteti i bashkësisë
katolike në Turqi? Të dëgjojmë kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore turke, imzot
Luigji Padoveze: Është një bashkësi, që shprehet përmes riteve e besimeve
të ndryshme; trashëgimtare e kishave të lashta të kësaj zone. Numerikisht të vogla,
por me domethënie, si për të kaluarën historike të secilës prej tyre, ashtu edhe për
teologjinë, liturgjinë që i dallon nga njëra-tjetra dhe i cilëson. Një thesar që nuk
duhet humbur. Shteti turk është formalisht laik. Por faktikisht, gjatë viteve
të fundit, të krishterët jetojnë në një klimë ku nuk mungojnë tensionet. Veçanërisht,
pas vrasjes së don Santoros në vitin 2005, sulmet kundër rregulltarëve të krishterë
të huaj janë rritur. Sipas jush, çfarë fshihet pas këtyre sulmeve dhe, a ndryshoi
gjë në këtë drejtim, udhëtimi i Papës në Turqi në vitin 2006? Sigurisht që udhëtimi
i Atit të Shenjtë kontribuoi në krijimin e një klime më të qetë. Vë në dukje, gjithsesi,
se tensionet e muajve të kaluar janë të lidhur më tepër me probleme të tipit nacionalist,
se sa me ato ngushtësisht fetare. Marrëdhëniet tona me vëllezërit e me autoritetet
myslimane janë shumë të mira. Klima është më e qetë, megjithëse vazhdojnë akte sporadike
vandalizmi, si për shembull, hedhja e plehrave para kishave. Kjo dëshmon se ekziston
akoma një lloj ndjenje antikristiane. Gjithsesi, kemi të bëjmë me grupe të parëndësishme. Përsa
i përket Kishës Katolike, cilat janë sfidat që duhet të përballojë? Bashkësia
katolike, para së gjithash, duhet të pranojë me guxim se është një pakicë, por gjithsesi
e pranishme në Turqi. E them këtë, sepse situata historike të kaluara e kanë detyruar
grupin e krishterë (e jo vetëm katolikët) të jetojë në një lloj anonimati. Ka ardhur
koha të shprehemi hapur, pa frikë. Është një hap i rëndësishëm, që mendoj se kërkon
kohë. Por, po lëvizim në këtë drejtim, edhe për hir të klimës së demokracisë më të
madhe që po përjetojmë. Në fund të fundit, nuk mund të kemi demokraci të vërtetë,
nëse nuk ekziston pluralizmi e më duket se autoritetet aktuale janë të vetëdijshme
për këtë. Me rastin e Vitit kushtuar Shën Palit, ipeshkvijtë e Turqisë kanë
shkruar një letër baritore, pikërisht për të zgjuar në të krishterët vetëdijen e identitetit
të tyre e për të bërë një thirrje të fuqishme për bashkim. Në ç’pikë është ekumenizmi
në Turqi dhe a e favorizon atë Viti kushtuar Shën Palit? Sigurisht që e favorizon
dhe e vëmë re këtë nga interesimi i përbashkët për Apostullin, i cili shprehet në
shumë raste përmes simpoziumeve, apo kremtimeve të përbashkëta, të organizuara nga
ne, ose nga Kisha ortodokse. Po kufizohem në aktivitetin e fundit, atë të 25 janarit
në Tars, ku morën pjesë shumë të krishterë të konfesioneve të ndryshme. Janë momente
të rëndësishme, që na ndihmojnë të kuptojmë se nuk jemi vetëm. Ajo që kemi shkruar
në Letrën baritore është e qartë: para se të jemi katolikë, ortodoksë, protestantë,
jemi të krishterë. Ky është elementi bazë, që duhet të na bashkojë. Nisma të tjera
të këtij viti kanë të bëjnë me shtypin. I kemi bërë më shumë të njohura Letrat e Shën
Palit, personin e tij, edhe përmes projekteve të organizuara nga famullitë. Gjëra
të vogla, por në Turqi nuk jemi në gjendje të bëjmë më shumë, duke pasur parasysh
mungesën e fondeve.