2009-02-04 16:23:00

Benedikti XVI përfundon ciklin e katekizmit kushtuar Shën Palit. Thirrje për paqen në Sri Lankë.


(04.02.2009 RV)RealAudioMP3 Shën Pali është shembull apostolik, nga i cili duhet të frymëzohemi për risimin e Kishës. Mësimet e tij janë shumë të çmuara edhe në këndvështrimin ekumenik. Benedikti XVI e mbylli me këto vlerësime audiencën e fundme të përgjithshme kushtuar Apostullit të Popujve. Por, përballë mijëra besimtarëve të mbledhur në Sallën e Palit VI, Papa bëri edhe një thirrje të fuqishme për Sri Lankën, duke kërkuar paqen e respektimin e së drejtës humanitare për civilët, vënë në provë të rëndë nga konflikti i armatosur, që vijon në vendin aziatik.
Njëzet katekizma – i pari mbajtur më 2 korrik 2008 – për t’i ndihmuar besimtarët ta njohin më mirë Shën Palin, dashurinë e tij të pakufishme për njeriun, shpirtin e tij. Sot Benedikti XVI mbylli faqen e mbrame të këtij cikli, duke u folur besimtarëve për martirizimin e Apostullit, fund i jashtëzakonshëm, që kthehet në fillim, sepse figura e Shën Palit – vërejti Papa – i kapërcen kufijtë e jetës dhe të vdekjes e me kalimin e viteve bëhet aq madhështore, sa të frymëzojë viganë të tjerë të Kishës, nga Shën Agostini, tek Shën Toma:

“Ai la një trashëgimi të jashtëzakonshme shpirtërore (…), Është prandaj e natyrshme që Etërit e Kishës, e pastaj të gjithë teologët, të ushqeheshin nga Letrat e Shën Palit dhe nga përshpirtëria e Tij. Kështu ai mbeti në shekuj, deri në ditët tona, mësues i vërtetë e Apostull i Popujve”.

Dëshmia e parë për fundin e Shën Palit - shpjegoi Benedikti XVI - i përket fundit të shekullit të parë, rreth 30 vjet pas vdekjes së Apostullit. Gjindet në Letrat e ipeshkvit të Romës, Klementit, drejtuar Kishës së Korintit, në të cilat përshkruhet flijimi i Pjetrit më parë e, më pas, i Palit. Dëshmia e dytë, shkruar në shekullin IV, është ajo e Euzebit të Çezaresë, i cili flet për trofetë e dy apostujve, dmth për monumentet e ngritura mbi varret e tyre, të cilat edhe sot, pas dymijë vjetësh, vijojmë t’i nderojmë në të njëjtin vend ku dy Apostujt derdhën pa ngurrim gjakun për Krishtin: në Vatikan, vend ku u kryqëzua Shën Pjetri e në bazilikën e Rrugës Ostiense, ku ruhen reliket e Shën Palit:
 Është interesante të vëmë në dukje se dy Apostujt kujtohen së bashku. Ndonëse asnjë burim i lashtë nuk flet për shërbimin e tyre të njëkohshëm në Romë, tradita e mëpasme kristiane, mbi bazën e varrimit të të dyve në kryeqytetin e perandorisë, i kujton së bashku si themelues të Kishës së Romës”.

 
Përshkrimin e plotë të martirizimit të Shën Palit – vijoi Benedikti XVI – e gjejmë në ‘Veprat e Palit’. Dokumenti i përket shekullit II e në të shkruhet se ishte Neroni ai, që e dënoi Palin me prerjen e kokës. E, gjithnjë sipas traditës, ky vendim u ekzekutua në një vend, që njihet me emrin Acque Salviæ në Rrugën Laurentina. Sot quhet “Tre Burimet”. Apostulli vdiq – shpjegoi Papa – por mësimet e tij mbeten të pavdekshme, siç e dëshmon ndikimi i menjëhershëm që patën Letrat e Palit mbi bashkësinë e parë të krishterë:

“Ka rëndësi të vërejmë, sidomos, se Letrat e Shën Palit hyjnë shumë shprejt në Liturgji, ku struktura profet-apostull-Ungjill është vendimtare për formën e Liturgjisë së Fjalës së Zotit. Kështu, falë kësaj ‘pranie’ në liturgjinë e Kishës, mendimi i Apostullit bëhet menjëherë ushqim shpirtëror për besimtarët e të gjitha kohëve”.

 
Një nga studiuesit më të njohur, të cilët u morën me mësimet e Shën Palit, është Martin Luteri. Shpjegimi që u bëri shkrimeve të Apostullit, më pas i korrigjuar nga Koncili i Trentit, është në bazë të përshpirtërisë protestante. Lidhur me këtë, Benedikti XVI vuri në dukje një aspekt të rëndësishëm për jetën e Kishës:

“Në progresin e ekzegjezës, posaçërisht gjatë dyqind vjetëve të fundit, rritet gjithnjë edhe përkimi ndërmjet ekzegjezës katolike e ekzegjezës protestante, duke realizuar kështu një mirëkuptim të dukshëm, pikërisht në pikën prej nga nisi mosmarrëveshja historike. Shpresë e madhe kjo, për çështjen e ekumenizmit, në qendër të vëmendjes së Koncilit II të Vatikanit”.
 
Papa e përfundoi katekizmin duke kujtuar lëvizjet e shumta rregulltare, që u themeluan gjatë shekujve të fundit në emrin e Shën Palit:

“Me një fjalë, mbetet e ndritshme para nesh figura e një apostulli dhe e një mendimtari të krishterë, jashtëzakonisht prodhimtar e i thellë, nga njohja e të cilit mund të përfitojnë të gjithë (…) Ushqimi me mësimet e tij, me shembullin e tij apostolik e me doktrinën e tij, do të ishte një nxitje, madje një garanci për fuqizmin e identitetit të krishterë të secilit nga ne, për risimin e mbarë Kishës”.

Audienca e përgjithshme përfundoi me shprehjen publike të shqetësimit të Benediktit XVI për konfliktin në Sri Lanka. Papa kërkoi të heshtin armët e të fillojnë përpjekjet për pajtim:

“Lajmet për acarimin e konfliktit dhe për rritjen e numrit të viktimave të pafajshme, më shtyjnë t’u bëj thirrje forcave ndërluftuese të respektojnë të drejtën humanitare dhe lirinë e lëvizjes së populisisë e të bëjnë ç’është e mundur për t’u garantuar ndihmën të plagosurve dhe sigurinë civilëve, duke plotësuar edhe nevojat e tyre urgjente për ushqime e ilaçe. Zoja e Bekuar e Matuu, shumë e nderuar nga katolikët e edhe nga besimtarët e feve të tjera, u nxjerrtë të gjithëve hirin e paqes e të pajtimit në këtë vend të dashur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.