2009-02-04 16:26:22

Atë Lombardi- kancelares Merkel mbi negacionizmin: Papa nuk mund të ishte më i qartë.


(04.02.2009 RV)RealAudioMP3 “Nuk mund të ishte më i qartë’ dënimi nga ana e Papës i deklaratave që mohojnë Holokaustin (shfarosjen në masë të hebrenjve në kampet naziste të përqendrimit): këtë theksoi sot drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federiko Lombardi, pas pohimit të djeshëm të kancelares gjermane, Angela Merkel. Sipas saj, sqarimet e Vatikanit për heqjen e shkishërimit ipeshkvit lëfevrian Uiljamson, që mohoi Shoah, janë të pamjaftueshme. “Është e nevojshme që, nga ana e Papës dhe e Vatikanit – pohoi Merkel – të thuhet qartë se Holokausti nuk mund të mohohet. Lidhur me këtë, të ndjekim notën e Atë Lombardit:

“Mendimi i Papës për këtë temë u shpreh krejt qartë në Sinagogën e Këlnit më 19 gusht 2005; në Kampin e përqendrimit të Aushvici-Birkenau më 28 maj 2006, në audiencën e mëpasme të përgjithshme më 31 maj 2006 e akoma, pak kohë më parë, në përfundim të audiencës së përgjithshme, më 28 janarin e kaluar, me fjalë që nuk mund të vihen në dyshim, nga të cilat po kujtojmë vetëm këto: “Ndërsa u shpreh përsëri me gjithë zemër solidaritetin tim të plotë e të padiskutueshëm vëllezërve tanë të Besëlidhjes së Vjetër, uroj që kujtimi i Shoah ta nxisë mbarë njerëzimin të reflektojë mbi pasojat e paparashikueshme të së keqes, kur arrin të pushtojë zemrën njerëzore. Uroj që Shoah t’u kujtojë të gjithëve se kjo tragjedi nuk duhet harruar, nuk duhet mohuar e as reduktuar, me bindjen se dhuna e ushtruar vetëm mbi një njeri, është dhunë kundër të gjithëve”. Dënimi i deklaratave, që mohojnë Holokaustin, nuk mund të ishte më i qartë e nga konteksti kuptohet menjëherë se lidhej edhe me imzot Uiljamson si dhe me të gjitha qëndrimet e kësaj natyre. Në të njëjtin rast, vetë Papa shpjegoi qartë edhe qëllimin e heqjes së shkishërimit, që s’ka të bëjë fare me ligjërimin e qëndrimeve mohuese të Holokaustit, të cilat ai i dënoi në mënyrë të padiskutueshme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.