2009-02-03 17:36:58

Mesazhi për Krezhmët 2009. Papa fton të rizbulohet agjërimi i vërtetë i krishterë, që të nxit t’ia hapësh zemrën Zotit e të afërmit.


(03.02.2009 RV)RealAudioMP3 Agjërimi i vërtetë ka për qëllim të na nxisë të mos jetojmë më vetëm për vetveten, por t’ia hapim zemrën Zotit e të afërmit: këtë pohon Benedikti XVI në Mesazhin për Krezhmët e këtij viti, përmes të cilit na fton ta rizbulojmë këtë praktikë të lashtë pendestare.

Papa fton të rizbulohen vlera dhe arsyet e agjërimit të krishterë. Nuk është fjala për një praktikë moralistike, për zbatimin e përpiktë të ca normave të një ligji fetar, me zemrën larg Zotit, siç bënin farizenjtë. E aq më pak për një masë, që ka për qëllim t’i shërbejë shëndetit të korpit. Agjërimi – pohon Papa – sigurisht i ndihmon mirëqenies fizike, por për besimtarët është sidomos terapi që shërben për të mjekuar gjithçka i pengon të bëjnë vullndetin e Zotit. Në të vërtetë, ashtu si i thotë Jezusi shejtanit në përfundim të 40 ditëve të kaluara në shkretëtirë “Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit”(Mt. 4,4). Prandaj mund të themi se agjërimi i mirëfilltë ka për qëllim ta nxisë njeriun të hajë ‘ushqimin e vërtetë’, që do të thotë të bëjë vullnetin e Atit. Agjërimi i trupit shndërrohet në uri e etje për Zotin. Është një formë asketike, që na ndihmon për t’u larguar nga mëkati e për t’u afruar tek Zoti, siç porosiste Shën Agostini, që i njihte mirëfilli prirjet e veta negative, të cilat i quante lëmsh i ngatërruar e i kapërthyer. Kjo praktikë asketike bëhet armë shpirtërore për të luftuar kundër çdo lëshimi që mund t’i bëjmë vetvetes. Heqja dorë vullnetarisht nga kënaqësia e të ngrënit dhe nga të mirat e tjera materiale – nënvizon Benedikti XVI - e ndihmon dishepullin e Krishtit t’i kontrollojë lakmitë e natyrës së ligështuar nga mëkati i rrjedhshëm, pasojat negative të të cilit ndikojnë mbi gjithë personalitetin e njeriut. Prej këndej ftesa për thjeshtësi, ashtu si na nxit një himn i lashtë i liturgjisë krezhmore: “T’i përdorim me masë fjalët, ushqimet, pijet, gjumin e lojrat, të tregohemi më të kujdeshëm, për t’u ruajtur nga mëkati”. Është fjala për një formë të heqjes dorë nga egoizmi që, e ushqyer nga lutja dhe e ndjekur nga lëmosha, e ndihmon njeriun t’ia hapë zemrën Zotit e të afërmit. Duhet të kujtojmë se agjërimi nuk është qëllim në vetvete: agjërim do të thotë të heqësh dorë vullnetarisht nga diçka, për të ndihmuar të tjerët. Kështu – thekson Papa - dëshmojmë konkretisht se i afërmi nuk është i huaj për ne. Prej këndej, thirrja drejtuar famullive e bashkësive kishtare ta mbajnë gjithnjë gjallë mikpritjen e vëmendjen ndaj vëllezërve e të mbledhin lëmoshë, për t’ia dhuruar të varfërve atë, që është vënë mënjanë falë agjërimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.