Kardinali Kordes: agjërimi krezhmor nuk e pranon idhujtarinë e trupit.
(03.02.2009 RV)Mesazhi i Papës
për Krezhmët 2009 u paraqit sot paradite në sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë.
Në konferencën e paraqitjes, drejtuar nga atë Federiko Lombardi, folën ndërmjet të
tjerësh, kardinali Paul Jozef Kordes, kryetar i Këshillit Papnor ‘Cor Unum’ dhe zonja
Jozetë Sheeran, drejtoreshë ekzekutive e Programit Ushqimor Botëror të Kombeve të
Bashkuara. “Krezhmët i hapin të krishterit një udhë shpirtërore e praktike
për t’ia dhuruar pa asnjë ngurrim vetveten Hyjit”. Këtë nënvizoi kardinali Kordes,
i cili shtoi: në Mesazhin e tij, Benedikti XVI na kujton impenjimin për t’ia hapur
zemrën e dorën atyre që kanë nevojë. Porosi – shpjegoi – që bëhet edhe më urgjente
në këtë periudhë krize ekonomike globale:
“Nuk mund të dorëzohemi përballë
mjerimit të njerëzve; përsa mundemi, duhet t’i ndihmojmë për të gjetur rrugëzgjidhjen”. Hirësia
e Tij kujtoi kështu temën e agjërimit, që përbën zemrën e Mesazhit papnor. Në ditët
tona – nënvizoi – është përhapur në masë kujdesi për trupin, që rrezikon të kthehet
në idhujtari. Këtë na e dëshmojnë më së miri disa statistika të tregut të mirëqenies:
“Trupi
kërkon gjithnjë më me ngulm të drejtat e veta. Por dëshira e tij për mirëqenie e
kënaqësi ndoshta e kufizon lirinë, e më pas nuk mund të drejtohet më sipas vullnetit
të njeriut. Trupi bëhet tiran”. Mesazhi krezhmor – shpjegoi
në vijim – i kundërvihet kësaj tendence shoqërore. Fjalët e Papës për flijim – tha
kardinali Kordes – në shikimin e parë nuk i favorizojnë këto prirje kaq të dëshiruara
të njeriut. Por gjithsesi kanë përherë si synim të mirën e tij. Kryetari i dikasterit
kujtoi kështu se edhe në fetë e tjera, si budizmi e islami, agjërimi luan një rol
të dorës së parë. Por – vijoi të shpjegonte - nuk duhet harruar se shkaku për të
cilin të dyja fetë praktikojnë agjërimin, është lufta kundër pushtetit të materies
mbi njeriun:
“Prandaj agjërimi ka një ngjyrim negativ: është fjala
për t’u çliruar nga barra që na ngarkojnë sendet e krijuara. Por kjo e rrezikon njeriun
të izolohet, e shtyn të mbyllet në vetvete. Ndërsa për të krishterin dëshira mistike
nuk është kurrë zbritje në fundet e vetvetes, por zbritje në thellësitë e fesë, ku
takohet me Zotin”.
Fjala e
Papës – vijoi kardinali - nuk ka për qëllim t’i shtojë një nismë tjetër humanitare
nismave të ditëve tona. Për besimtarët, ngjinesa duhet të ketë kuptim të krishterë.
Besimtari duhet t’ia dhurojë vetveten Hyjit, sepse vetëm Ai është, në fund të fundit,
lumturia për të cilën ka etje shpirti ynë. Zonja Sheeran, në fjalën e saj, falënderoi
Papën për mbështetjen që u jep Kisha veprimtarive të Programit Ushqimor Botëror: "I
met Pope Benedikt XVI and was deeply moved…" “U takova me Papën Benedikti
XVI – tha drejtoresha e Pam – e më preku thellësisht impenjimi e dhëmbshuria e tij
për të uriturit e botës. Inkurajimi i Papës për të agjëruar – shtoi – na kujton edhe
se uria është në rritje kudo. E më pas zonja e OKB-së foli me gjuhën dramatike të
statistikave: sot një fëmijë vdes nga uria në çdo gjashtë sekonda. Foli më pas për
një sërë projektesh në vende të ndryshme, nga Afganistani në Senegal e në Gazë, ku
Pam po lufton kundër plagës së urisë. E kujtoi edhe se agjensia e OKB-së, bashkëpunon
me Karitaset vendase në dioqezat e 40 vendeve të ndryshme të Botës. Më pas i nxiti
qeveritë e të gjitha vendeve të impenjohen më shumë: "At this time
of trillion dollar financial rescue… “Në këtë fazë kur po hidhen triliona
dollarësh për shpëtimin e financave - kujtoi zonja Sheeran – kemi nevojë të përdorim
po aq në luftën kundër urisë. Në këto Krezhmë – përfundoi - të punojmë për një botë
të çliruar nga uria".