2009-02-03 17:10:54

Emergjenca e edukimit të breznive të reja dhe gjendja e emigrantëve në Itali


(03.02.2009 RV)RealAudioMP3 “Gjendemi përballë disa rasteve tronditëse që duhen konsideruar tashmë jo si të veçuara por si simptoma të disa prirjeve të përhapura që po shtohen gjithnjë e më shumë”. Me këto fjalë e komentoi presidenti italian Xhorxho Napoletano ngjarjen dramatike në stacionin hekurudhor të Netunos ku disa të rinjë italianë, të droguar e të dehur, spërkatën me benzinë dhe i vunë zjarrin një indiani endacak ndërsa flinte. Vetë një nga të rinjtë, për më tepër i mitur, deklaroi se i kishin vënë zjarr emigrantit “për të larguar mërzinë, për të mbyllur mbrëmjen me disa emocione të forta”.
Raste të tilla të bëjnë të mendosh jo vetëm për situatën e tanishme të emigrantëve por edhe për nivelin e edukatës që të rinjtë marrin në familje, në shkolla e në shoqëri.
Duke folur mbi këtë ngjarje të dhimbshme Imzot Marçelo Semeraro, ipeshkëv i Albanos vuri në dukje se mërzia nuk kalohet duke i vënë zjarr atij tjetrit për zbavitje, se këta të rinj e konceptojnë qenien njerëzore si një kompjuter:


Përgjigje: Si një objekt zbavitjeje që mund të ndizet e fiket sipas dëshirës, siç bëhet me internetin. Kjo tregon se është e nevojshme të rivendoset kuptimi i marrëdhënies me tjetrin dhe me jetën. Por paradoksi është pikërisht se kjo gjë ndodhi një të diele kur të gjithë ne si Kishë po bënim thirrje të fuqishme për mbrojtjen e jetës.

Lind pyetja se kush, përveç dorasëve, është fajtor për këtë akt çnjerëzor kundër një emigranti.
Benedikti XVI para një viti - në një letër dërguar dioqezës së Romës e më pas në një audiencë të madhe në Shën Pjetër- pati nënvizuar nevojën e “emergjencës edukative” të të rinjve. “Edukimi i të rinjve nuk është gjë e thjeshtë, - vinte në dukje Ati i Shenj të - e sot duket se është bërë më i vështirë se kurrë”.
Kjo gjen shpjegim e vet tek “diktatura e relativizmit”, atëherë kur e vërteta mohohet e aq më keq, edhe damkoset si shfaqje e “autoritarizmit”. Po ashtu nuk pranohet se ekziston edhe “e mira objektive” si kategori morale, e shpeshherë kjo fajësohet sepse gjoja cënon lirinë e individit.

Duke shkruar mbi konceptin që ka shoqëria sot për qenien njerëzore, Kard. Kamilo Ruini (Osservatore Romano, 2-3 shkurt 2009) e cilëson kulturën e përditshme si relativiste e nihiliste. “Mund ta quajmë edhe 'natyralizëm', ose më saktë reduktim të qenies njerëzore në një element të natyrës. Por qysh në Koncilin II Vatikanas, tek “Gaudim et spes” ishte vënë në dukje rreziku i 'prirjes për ta quajtur njeriun thjeshtë pjesëz së natyrës' - vijon kardinali Ruini.

Nga ana tjetër, mënjanimi nga jeta shoqërore dhe diskriminimet ndaj emigrantëve vetëm sa i detyrojnë këta të fundit të bëjnë një jetë që nuk i njeh ligjet, mbasi vetë ligjet e vendit ku kanë emigruar i përbuzin këta fatkëqij. Kështu i hapet rruga edhe rasteve të dhunës të skajshme. Po, cila është gjendja e emigrantëve në Itali? Flet Marko Impalnjaco, kryetar i Bashkësisë së Shën Egjidit:


Përgjigje: Situata e emigrantëve tashti është përkeqësuar së tepërmi. Nuk ka më respekt për këta njerëz, për të drejtat e tyre, por shumë-shumë i pranojmë si punëtorë.

Por ajo çka e rëndon edhe më tepër gjendjen ekonomike të familjeve të emigrantëve, janë edhe taksat e reja e kushtet që duhen të përmbushen për të fituar të drejta të barabarta me shtetasit italianë.

Përgjigje: Shtetësia ka për t’iu dhënë vetëm pas dy vitesh martesë dhe një qytetar apo qytetare e huaj nuk mund të martohet me një italian nëse nuk e ka lejen e qëndrimit. Këto janë kufizime të rënda të lidhjes martesore, e cila, siç dihet, është një nga mënyrat më të mira të integrimit. Tjetër, pastaj. Futja e taksës shtesë për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit vetëm sa rëndon mbi familjet të cilat edhe kështu e kanë të vështirë të jetojnë në mënyrë dinjitoze në një kohë kur japin kontributin e tyre në prodhimin e përgjithshëm të brendshëm të Italisë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.