2009-02-03 13:51:01

Bibla - bisedë e vazhdueshme me Shpirtin Shenjt


(28. 01. 2009 RV)Të dashur vëllezër e motra,
Letrat e fundit të epistolarit të Shën Palit, për të cilat dëshiroj t’ju flas sot, njihen si Letrat Baritore, sepse iu dërguan barinjve të Kishës: dy Timoteut e një Titit, bashkëpunëtorë të ngushtë të Shën Palit. Për Shën Palin Timoteu ishte një alter ego (një vetvete tjetër); e këtë e tregon fakti se i besoi misione të rëndësishme (në Maqedoni: cfr At 19,22; në Selanik: cfr 1 Ts 3,6-7; në Korint: cfr 1 Kor 4,17; 16,10-11), e pastaj e lavdëroi, duke shkruar kështu për të: “Nuk kam askënd njëmendjeje me mua, që të kujdeset për ju me një dashuri të vërtetë”(Fil 2,20). Sipas historisë kishtare të shekullit IV, shkruar nga Euzebi i Çezaresë, Timoteu qe më vonë ipeshkvi i parë i Efezit (cfr 3,4). Përsa i përket Titit, edhe ai duhet të ketë qenë shumë i dashur për Apostullin, i cili e quan shprehimisht : “plot zell... shoku im e bashkëpunëtori im” (2 Kor 8,17.23), madje “biri im i vërtetë në fenë e përbashkët” (Tt 1,4). Ai u ngarkua me dy misione tepër delikate në Kishën e Korintit, rezultatet e të cilave i dhanë zemër Palit (cfr 2 Kor 7,6-7.13; 8,6). Në vijim, sipas njoftimeve që arritën deri në ditët tona, Titi shkoi pas Palit në Nikopoli të Epirit, në Greqi (cfr Tt3,12) e më pas u dërgua prej tij në Dalmaci (cfr 2 Tm 4,10). Sipas Letrës që i drejtoi, në këtë kohë ai duhet të ketë qenë Ipeshkëv i Kretës (cfr Tt 1,5).

 
Letrat drejtuar këtyre barinjve zënë një vend të veçantë në Besëlidhjen e Re. Shumica e ekzegjetëve sot është e mendimit se këto Letra nuk i shkroi vetë Pali, por se i përkasin “shkollës së Palit” e reflektojnë mbi trashëgiminë që i la breznisë së re, ndoshta duke përfshirë ndonjë fjalë a frazë, të shkruar nga vetë Apostulli. Për shembull, disa fjalë nga Letra e dytë drejtuar Timoteut, duken si të kishin dalë nga zemra e nga goja e vetë Apostullit.
Pa dyshim gjendja kishtare për të cilën flitet në këto Letra, është e ndryshme nga ajo e viteve kulmore të jetës së Palit. Ai tani, duke shikuar mbrapa, vetquhet “lajmëtar, apostull e mësues i paganëve në fé e në të vërtetë” (cfr 1 Tm 2,7; 2 Tim 1, 11); paraqitet si njeri që gjeti mëshirë, sepse Jezu Krishti – kështu shkruan - deshi ta tregojë në mua, së pari, gjithë bujarinë e vet, që kjo gjë të jetë shembull për të gjithë ata, të cilët do të besojnë në Të për të pasur jetën e pasosur” (1 Tm 1,16). Pra mund të themi se kryesorja është që tek Pali, persekutues i kthyer nga prania e Krishtit të ngjallur, duket bujaria e Zotit, si nxitje për ne, që të shpresojmë e të kemi besim në mëshirën e Hyjit i cili, pavarësisht nga vogëlsia jonë, mund të bëjë gjëra të mëdha. Përveç viteve kulmore të jetës së Palit, nënkuptojmë këtu edhe rrethanat e reja kulturore. Bëhet aluzion për kryengritjen kundër mësimeve aq, sa të shikohen të gjitha si të gabuara e të rreme (cfr 1 Tm 4,1-2; 2 Tm 3,1-5), posaçërisht mësimet e atyre që mendonin se martesa nuk ishte e mirë (cfr 1 Tm 4,3a). Shikojmë sa modern është ky shqetësim, sepse edhe sot Shkrimi Shenjt nganjëherë lexohet thjeshtë përr kureshtje historike, e jo si fjalë e Shpirtit Shenjt, në të cilën mund të dëgjojmë zërin e vetë Zotit e të njohim praninë e tij në histori. Mund të themi se me këtë listë të shkurtër të gabimeve të pranishme në këto Letra, përvijohet drejtimi i mëpasëm i gabuar, që do të njihej me emrin e Gnosticizmit (cfr 1 Tm 2,5-6; 2 Tm 3, 6-8).

Këtyre doktrinave autori u bën ballë me dy porosi kryesore. Së pari, porosia për një lexim shpirtëror të Shkrimit Shenjt (cfr 2 Tm 3, 14-17), dmth për një lexim që e konsideron vërtetë të frymëzuar e të buruar nga Shpirti Shenjt, kështu që prej tij mund të marrësh mësime për shëlbimin e shpirtit”. Shkrimi Shenjt mund të lexohet drejt duke hyrë në bisedë me Shpirtin Shenjt, duke marrë kështu dritën e duhur “për të mësuar, për të mbushur mendjen, për të qortuar, për të prirë nga drejtësia” (2 Tm 3, 16). Në këtë drejtim, në Letër shtohet: “Në mënyrë që njeriu i Zotit të jetë i përkryer e i përgatitur si duhet për vepra të mira” (2 Tm 3,17) . Porosia tjetër bën fjalë për ‘thesarin’ (parathéke) apo trashëgiminë e mirë: është një fjalë e veçantë në Letrat Baritore, me të cilën tregon traditën e fesë apostolike, që duhet ruajtur me ndihmën e Shpirti Shenjt, që banon në ne. I ashtuquajturi ‘thesar’ duhet konsideruar si përmbledhje e traditës apostolike e si kriter i besnikërisë në kumtimin e Ungjillit. E këtu duhet të kemi parasysh se në Letrat Baritore, ashtu si në të gjithë Besëlidhjen e Re, termi ‘Shkrimi Shenjt’ nënkupton shprehimisht Besëlidhjen e Vjetër, sepse Besëlidhja e Re nuk ishte shkruar akoma, ose nuk bënte akoma pjesë në kanunin e Shkrimeve të Shenjta. Prandaj tradita e kumtimit apostolik ‘që u trashëgua’, është kyçi, i cili duhet përdorur për ta kuptuar Shkrimin Shenjt, Besëlidhjen e Re. Në këtë kuptim, Shkrimi Shenjt e tradita, Shkrimi Shenjt e kumtimi apostolik, si kyç i leximit, afrohen e gati shkrihen, për të formuar së bashku “bazën e qëndrueshme, të hedhur nga Hyji”( 2 Tm 2,19). Kumtimi apostolik, domethënë Tradita, është i nevojshëm për të kuptuar Shkrimin Shenjt e për të kuptuar zërin e Krishtit. Duhet të “jemi të sigurtë në mësimet që kemi marrë, kështu që të jemi në gjendje të këshillojmë me dije e urti” (Tt 1,9). Në bazë të të gjithave është besimi në zbulesën historike të mirësisë së Hyjit i cili, në Jezu Krishtin, e dëshmoi konkretisht ‘dashurinë e tij për njerëzit’, një dashuri që, në tekstin origjinal grek, quhet në mënyrë kuptimplote filanthropìa (Tt 3, 4; cfr Tim 1,9-10); Zoti e do njerëzimin.
Përgjithësisht shihet mirë se bashkësia e krishterë përvijohet me terma shumë të sakta, sipas një identiteti që jo vetëm largohet nga interpretimet e papajtueshme, por që, sidomos, pohon lidhjen e ngushtë me pikat themelore të fesë, që këtu është sinonim i ‘së vërtetës’ (1 Tim 2,4.7; 4,3; 6,5; 2 Tim 2, 15.18.25; 3,7.8; 4,4; Tt 1,1.14). Në fe shikojmë qartë të vërtetat themelore, përmes të cilave kuptojmë kush jemi ne , kush është Hyji e si duhet të jetojmë. E Kisha quhet ‘shtyllë dhe mbështetje” e kësaj së vërtete (1 Tim 3,15). Gjithsesi ajo mbetet bashkësi e hapur, me frymëmarrje universale, e cila lutet për njerëzit e çdo rendi e grade, që të arrijnë në njohjen e së vërtetës. “Vullneti i Hyjit është që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës”, “sepse Jezu Krishti e flijoi veten si shpërblim për të gjithë njerëzit”(1 Tim 2, 4-5). Prej këndej, fryma e universalitetit, edhe në se bashkësitë janë ende të vogla, është e fortë e mbizotëruese në këto Letra. Veç kësaj, bashkësia e krishterë ‘nuk flet keq për askënd’ e ‘ është plot butësi kundrejt të gjithëve (1 Tim 2,4-5). Ky është elementi i parë i rëndësishëm i këtyre Letrave: universaliteti e feja si e vërtetë, si kyç për leximin e Shkrimit Shenjt, të Besëlidhjes së Vjetër, e kështu ravijëzohet uniteti i kumtimit e i Shkirmit Shenjt, e një fe e gjallë, që i mirëpret të gjithë e që e dëshmon dashurinë e Hyjit për të gjithë.
Për herë të parë, në këto Letra gjejmë një reflektim të thellë mbi organizimin e shërbimit në Kishë, sipas tre rendeve: ipeshkvijve, meshtarëve e diakonëve (cfr 1 Tim 3,1-13; 4,13; 2 Tim 1,6; Tt 1,5-9). Mund të vërejmë në Letrat baritore bashkëndikimin e dy strukturave të ndryshme të shërbimit e kështu edhe realizmin e formës përfundimtare të shërbimit të Kishës. Në Letrat e shkruara në kulmin e jetës, Shën Pali flet për ‘episcopi’ (ipeshkvij) (Fil 1,1) e ‘diakonë’: kjo është struktura tipike e Kishës, që formohej në epokën e botës pagane. Por nuk duhet të harrojmë se figura e Apostullit është ende sunduese e se shërbimet e tjera zhvillohen dalë-nga –dalë.
Në se, siç u tha, në Kishat e formuara në botën pagane kemi ipeshkvij e diakonë, e jo presbiter, në Kishën e formuar në botën judeo-kristiane, presbiterët përbëjnë pjesën kryesore. Në fund, në Letrat Baritore, të dyja pjesët bashkohen: kujtohet tani ‘ipeshkvi’ (cfr 1 Tim 3,2; Tt 1,7), gjithnjë në njejës e gjithnjë në trajtë të shquar ‘ipeshkvi’. E pranë ipeshkvit, gjejmë edhe presbiterët e diakonët. Figura e Apostullit mbetet gjithnjë sunduese, veçse tri Letrat, siç e thamë më sipër, nuk u drejtohen më bashkësive, por personave: Timoteut e Titit, të cilët na paraqiten si ipeshkvij, e nga ana tjetër, nisin të zënë vendin e Apostullit. Jemi në zanafillën e atij realiteti që, më pas, do të quhej “vazhdimësia apostolike”. Pali i thotë solemnisht Timoteut: “Mos e harro dhantinë që është në ty e që t’u ndikua përmes frymëzimit profetik, me anën e pushimit të duarve mbi krye tënd prej kolegjës presbiteriale”(1 Tim 4, 14). Mund të themi se në këto fjalë duket fillimisht edhe karakteri sakramentor i shërbimit. E kështu kemi thelbin e strukturës katolike: Shkrimi Shenjt e Tradita, Shkrimi Shenjt e kumtimi, formojnë një gjë të vetme, por kjo është struktura doktrinore; duhet arritur tek struktura personale, tek pasardhësit e Apostujve, si dëshmitarë të kumtimit apostolik.Ka rëndësi të vërejmë se në këto Letra Kisha shprehet për vetveten me terma shumë njerëzore, si të ishte shtëpi a familje. Posaçërisht në Tim 3, 2-7, lexojmë porosi shumë të hollësishme për ipeshkvin, si këto: ai duhet të jetë “i pacënueshëm, i martuar vetëm një herë, i përkurmë, i urtë, i nderueshëm, mikpritës, i aftë për të mësuar, jo i dhënë mbas pijet, jo i turrshëm, por i ndalur; jo grindavec, jo i ngjitun për para; duhet të dijë ta sundojë familjen e vet e t’i mbajë të nënshtruar me dinjitet fëmijët; sepse në se ndokush s’di të kujdeset për familjen e vet, si do të mund të ketë kujdes për Kishë të Zotit. Veç kësaj … është e nevojshme të kryesojnë mirë, sidomos ata që mundohen në fjalë e në mësim” (cfr edhe 1 Tim 5, 17), për të cilët flitet edhe në fragmente të tjera (cfr 1 Tim 6,2c; 2 Tim 3,10; Tt 2, 1), pastaj vjen një karakteristikë e posaçme personale, ajo e ‘atësisë’. Ipeshkvi shikohet si atë i bashkësisë së krishterë (cfr edhe 1 Tim 3, 15). E nuk duhet harruar se ideja e Kishës si ‘shtëpi e Zotit’ i ka rrënjët në Besëlidhjen e Vjetër (cfr Nm. 12, 7) e riformulohet në Eb 3, 2.6, ndërsa gjetiu lexohet se të gjithë të krishterët nuk janë më të huaj e as mysafirë, por bashkëqytetarë të shenjtorëve e familjarë të shtëpisë së Hyjit (cfr Ef 2, 19).
T’i lutemi, në fund, Zotit e Shën Palit që edhe ne, si të krishterë, të dallohemi gjithnjë më shumë, në gjirin e shoqërisë ku jetojmë, si bij të familjes së Zotit. E të lutemi dhe që barinjtë e Kishës të jenë gjithnjë më shumë plot ndjenja atërore, të butë e të fortë njëkohësisht, në misionin për formimin e shtëpisë së Hyjit, të bashkësisë së Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.