2009-02-02 18:56:59

Në Ditën e 13-të të Jetës së përkushtuar, Papa i fton rregulltarët t’i përngjajnë Krishtit të varfër, të pastër e të dëgjueshëm deri në Kryq!


(02.02.2009 RV)RealAudioMP3 Sot, në Ditën e 13-të botërore të Jetës së Përkushtuar, kremtuar sipas traditës në festën e Paraqitjes së Krishtit në tempull, Benedikti XVI u takua me rregulltarët e rregulltaret në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Mesha, e kryesuar nga kardinali Franc Rodè, prefekt i Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, filloi në orën 17.00.
Në fillim të Meshës, u bekuan e u ndezën qindra qirinj, që i dhanë bazilikës vigane pamjen e qiellit të stolisur me yje!
Në orën 18.00 Ati i Shenjtë u drejtoi një përshëndetje të përzemërt eprorëve e eproreve të përgjithshme si dhe të gjithë vëllezërve e motrave që, sipas modelit të Marisë, me dëshminë e tyre sjellin në Kishë e në botë dritën e Krishtit.
Duke pasur parasysh se Kisha kremton vitin kushtuar Shën Palit, Papa kujtoi ftesën e Apostullit të Popujve, drejtuar njerëzve, që dëshirojnë t’ia kushtojnë gjithë jetën Krishtit dhe Ungjillit të tij:

"Më përngjani mua, ashtu si unë i përngjas Krishtit, sepse jeta e përkushtuar nuk është tjetër, veçse ecje në gjurmët e Jezusit”.

 
Përballë qindra rregulltarëve e rregulltareve, të cilët e ndiqnin me vëmendje të madhe në ditën e tyre, Papa foli kryesisht për stilin e jetës së kushtuar, që frymëzohet nga kushtet ungjillore të varfërisë, të pastërtisë e të bindjes, duke vijuar gjithnjë të ndjekë mendimin e Shën Palit. Në kushtin e varfërisë – theksoi Benedikti XVI - Pali shikonte garancinë e kumtimit të Ungjillit pa kurrfarë interesi, në solidaritet të plotë me vëllezërit nevojtarë. Lidhur me këtë – shpjegoi – të gjithë e njohim vendimin e Palit për të jetuar me punën e duarve të veta dhe impenjimin për të mbledhur lëmoshë në favor të të varfërve.
Duke iu përgjigjur thirrjes së Zotit për të mbetur plotësisht i pastër, Apostulli ia dhuroi zemrën Zotit, pa e ndarë me askënd tjetër, që të mundej kështu t’u shërbente më lirisht vëllezërve.
Së fundi, kushti i bindjes apo i dëgjesës:

“Përsa i përket dëgjesës, mjafton të vërejmë se Apostulli iu nënshtrua plotësisht vullnetit të Zotit e iu kushtua me të gjitha forcat shqetësimit të përditshëm për Kishat, aq sa jeta e tij u bë plotësisht fli e pëlqyer nga Hyji. E gjithë kjo e shtyu t’u shkruante filipianëve: “Për mua Krishti është jetë e vdekja fitesë”.
 
Pasi shpjegoi kuptimin e kushteve, të cilat sot i përsëriten rregulltarët e mbarë botës, në të gjitha kishat ku shërbejnë, Papa kujtoi një tipar tjetër, themelor, të jetës së përkushtuar të Shën Palit, misionin:

Ai është i tëri i Jezusit, për të qenë, ashtu si Jezusi, i të gjithëve; madje për të qenë Jezusi për të gjithë. Prandaj shkruan: “U bëra i ligësht për të ligshtit. Për të gjithë u bëra gjithçka që, të kushtojë sa të kushtojë, ta shpëtoj ndonjerin”. Kështu tek ai shikojmë aftësinë e jashtëzakonshme për të shkrirë në një jetën shpirtërore me veprimtarinë misionare. Mund të themi, prandaj se i përket aradheve të ‘ndërtuesve mistikë’, jeta e të cilëve është njëkohësisht kundruese dhe aktive, gjithnjë në shërbim të Ungjillit”.

 
Në këtë tension mistiko-apostolik – kujtoi Papa - më pëlqen të vë në dukje guximin e Apostullit përballë provave të tmerrshme, deri në martirizim.
E në vijim Ati i Shenjtë i porositi rregulltarët ta kenë mirë parasysh edhe ftesën që u është drejtuar përmes ‘Udhëzimit mbi Shërbimin e autoritetit e bindjen”, duke i ftuar të lidhen ngushtë çdo mëngjes me Fjalën e Zotit, ta meditojnë e ta ruajnë në zemër, si thesar e si bazë për gjithë veprimtarinë e ditës.
Papa i ftoi rregulltarët të ecin në gjurmët e Shën Palit e ta meditojnë çdo ditë Fjalën e Hyjit duke praktikuar lectio divina e duke iu lutur Zotit plot mirënjohje me psalme e këngë të frymëzuara.Në përfundim Benedikti XVI kujtoi edhe se liturgjia e sotme i fton të gjithë t’i drejtojnë sytë nga Virgjëra Mari, simbol i ‘përkushtimit të plotë’, që sot i paraqet në tempull Atit, të Birin e tij, duke vijuar rrugën e nisur atë ditë, kur i tha plot bindje ‘po’ Engjëllit, që e lajmëronte se do të bëhej Nëna e Zotit. Asaj iu lut Benedikti XVI t’i shoqërojë gjithë bijtë e Hyjit e bijtë e saj, në rrugën e shërbimit të përkushtuar ndaj Zotit e vëllezërve.







All the contents on this site are copyrighted ©.