2009-02-02 18:57:45

Benedikti XVI ipeshkvijve të Turqisë: shteti duhet të sigurojë lirinë fetare.


(02.02.2009 RV)RealAudioMP3 Dallimi ndërmjet sferës civile e fetare duhet mbrojtur, por njëkohësisht, shteti duhet të garantojë lirinë fetare: kështu u tha sot Papa ipeshkvijve të Turqisë, të cilët i priti në Vatikan, me rastin e vizitës së tyre “ad Limina”. Benedikti XVI kujtoi udhëtimin e tij në Turqi në vitin 2006 dhe i ftoi të krishterët e myslimanët të punojnë sëbashku për njeriun e jetën, për paqen e drejtësinë:
La distinction entre la sphère civile et la sphère religieuse…
“Dallimi ndërmjet sferës civile dhe asaj fetare – vuri në dukje Ati i Shenjtë – është sigurisht një vlerë dhe duhet mbrojtur”. Megjithatë, vazhdoi, shteti duhet t’u sigurojë nënshtetasve dhe bashkësive fetare lirinë e kultit, duke mos lejuar asnjë lloj dhune në dëm të besimtarëve të çdo feje. Në këtë kontekst, Papa vuri theksin mbi vullentin e mirë të ipeshkvijve të Turqisë për të dialoguar me autoritetet, me qëllim që Kisha Katolike dhe pasuritë e saj të njihen juridikisht:
Une telle reconnaissance ne peut qu'avoir...
“Kjo njohje – pohoi Benedikti XVI – nuk mund të mos ketë pasoja pozitive për të gjithë”. Papa uroi që të vendosen “kontakte të përhershme”, për shembull përmes një Komisioni dypalësh, për të studiuar çështjet që akoma nuk gjejnë zgjidhje. Ati i Shenjtë nuk mungoi të ndalej tek Viti kushtuar Shën Palit, i cili ka një rëndësi të veçantë për tokën ku ka lindur Apostulli i Popujve e ku ka themeluar disa bashkësi:
Je me réjouis vivement de la dimension oecuménique...
“Ju përgëzoj për përmasën ekumenike”, që ipeshkvijtë në Turqi i kanë dhënë Vitit kushtuar Shën Palit, duke uruar që të bëhen përparime të reja në rrugën drejt bashkimit të të krishterëve. Nga ana tjetër, Papa kërkoi që shtegtarëve në Turqi t’u lehtësohet hyrja në vendet e shumta, të rëndësishme për fenë e krishterë.
Më pas, Benedikti XVI përmendi dëshminë e dhënë nga të krishterët në Turqi, që me bashkësitë e para e deri tek don Andrea Santoro, i cili dha jetën për Krishtin vetëm pak kohë më parë. Ata t’ju inkurajojnë ta dëshmoni dashurinë e Zotit për gjithë njerëzit, theksoi Ati i Shenjtë:
Le peuple de Dieu trouvera un soutien efficace...
“Populli i Zotit të gjejë mbështetje për fenë e shpresën e vet në bashkimin e vërtetë kishtar”, vazhdoi Papa Racinger. Ipeshkvijtë janë përgjegjës për realizimin e këtij bashkimi, i cili e merr forcën nga Fjala e Zotit. Papa i këshilloi meshtarët e rregulltarët të ndërthurin gjithnjë e më shumë jetën e tyre me realitetin e vendit e theksoi rëndësinë e veprimtarisë baritore me të rinjtë e të formimit të laikëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.