Salezianët hapin kremtimet për 150-vjetorin e themelimit të Familjes
(01.02.2009 RV)Dje, me një kremtim solemn në bazilikën e Shën Marisë Ndihmëtare
në Torino, kryesuar nga Rektori i madh, don Paskual Çaves Villanueva, u hapën kremtimet
për 150-vjetorin e themelimit të Familjes Saleziane. Njëkohësisht kardinali Tarçizio
Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, kryesoi kremtimin eukaristik në katedralen
e Bolonjës.Jubileu i salezianëve na kujton takimin e 18 dhjetorit të vitit 1859, në
banesën e Gjon Boskut, pranë Oratorios së Shën Françeskut të Sales në Valdoko, ku
një grup të rinjsh pranuan ftesën e mësuesit e atit të tyre shpirtëror, për t’u mbledhur
në një Shoqatë a Kongregatë që, duke pasur si synim ndihmën e anasjelltë për shenjtërimin
vetjak, të punonte për lumninë e Zotit dhe për shpëtimin e shpirtrave, posaçërisht
të atyre që kishin më shumë nevojë për mësim e edukim”. (Kështu shkruhet, fjalë për
fjalë, në proces-verbalin historik, që u mbajt në atë ditë të largët nga don Alasonati).
Sipas Rektorit të madh, viti 2009 do të jetë vit hiri. Viti u hap me festën e djeshme
liturgjike të Shën Gjon Boskut e do të vijojë me një sërë veprimtarish, si festa e
Zojës Ndihmëtare, shtyrë për 25 maj; kremtimi i ditës së emrit së Shën Gjon Boskut
më 24 qershor; i ditëlindjes së shenjtit, më 16 gusht e shumë veprimtari të tjera.
Me rëndësi të veçantë, kremtimi i 18 dhjetorit 2009, kur salezianët e gjithë botës
do të përsërisin kushtet rregulltare. Në këto veprimtari përfshihet edhe Bashkësia
saleziane me mision në Shqipëri, ku kryen një sërë veprimtarish të rëndësishme për
edukimin fetar e formimin profesional të të rinjve, duke vijuar kështu një traditë
të vjetër, që ka lënë gjurmë të ndritura në Shqipëri. Të pashlyeshme, posaçërisht,
gjurmët e motrave saleziane në edukimin e arsimimin e vajzave shqiptare.