2009-02-01 13:21:06

Përfundoi vizita ‘ad Limina’ e ipeshkvijve irakianë


(01.02.2009 RV)“Një spirale drite, pas vështirësive të panumërta. Ngjall shpresa për një ardhmëri më të mirë, pas viteve të fundit, që rënduan me gjithë dramaticitetin e vet mbi jetën e irakianëve në përgjithësi e të besimtarëve të krishterë në veçanti”. Me këto fjalë e përmblodhi situatën e sotme në Irak vikari patriarkal i Bagdadit të kaldejve, imzot Shlimon Varduni, të martën e kaluar, në përfundim të vizitës ‘ad Limina’ të ipeshkvijve irakianë në Vatikan. Edhe patriku i Bagdadit, kardinali Emanueli III Deli, pohoi se takimet e këtyre ditëve e forcuan bashkimin e Kishës irakiane e se fjalët e Papës do t’i ndihmojnë edhe myslimanët për ta njohur më thellë e për ta kuptuar më mirë bashkësinë e krishterë në Irak. E Papa i porositi ipeshkvijtë irakianë “Të jetojnë me dashuri vëllazërore, të bashkuar, sepse po të mos jenë të bashkuar ata vetë, si mund t’i bashkojnë të tjerët?”.
Prandaj Kisha e kaldejve, më e madhja në Irak, duhet t’i ndihmojë kishat e tjera e të dialogojë vazhdimisht me to, për t’u dhënë forcë e shpresë të krishterëve që jetojnë në Irak.
Ipeshkvijtë irakianë u kthyen në atdhe, në prag të festës kombëtare, që u kremtua në atmosferën e shtetrrethimit, me kufij e aeroporte të mbyllura, e sidomos, të zgjedhjeve provinciale, të cilat u zhvilluan dje, me pjesëmarrjen e 15 milionë zgjedhësve, që votuan për 14. 400 kandidatë, për 440 vende në këshillat provinciale.
Ipeshkvijtë mendojnë se do të ndryshojë diçka, por jo gjithçka. Për ta, rëndësi të dorës së parë ka fakti se irakianët këtë herë munden të zgjedhin lirisht. Është vetëm fillimi, po një fillim plot shpresë, që hap rrugë të reja. Kandidatët e krishterë janë vetëm tre, për Mosulin e Bagdadin, por – sipas shprehjes së ipeshkvijve – më mirë pak se aspak. Më vonë do të mund të kërkohet më shumë.







All the contents on this site are copyrighted ©.