2009-02-01 13:56:06

Dy tituj të lartë civilë indianë për dy katolikë


(01.02.2009 RV)Për veprimtarinë e saj shoqërore në Indi, Motra Nirmala Joshi, Eprore e përgjithshme e Misionareve të Bamirësisë, themeluar nga e Lumja Nënë Terezë, u nderua me titullin “Padma Vibhushan” (Dekorata e Lotusit ), titulli i dytë i lartë që jep shoqëria indiane. Deri tani këtë titull e kanë marrë 133 personalitete. Por asnjë nuk ka arritur të meritojë titullin më të lartë ‘Bharat Rtana” (Xhevahiri i Indisë), të cilin Vendi i madh aziatik ia dha më 1980 Nënës sonë Terezë, plot mirënjohje për veprimtarinë e saj të pashembullt në ndihmë të njerëzve më të braktisur të shoqërisë indiane.

E, po në Indi, për herë të parë një të krishteri iu dha çmimi ‘Harmonia”. Është fjala për Atë Dominik Emanuel, 57 vjeç, i diplomuar në komunikimet shoqërore, specialist në fushën e dialogut ndërfetar, misionar e zëdhënës i kryediqoezës katolike të Nju Delhit. Në motivacionin e çmimit, dhënë misionarit katolik, lexohet: “Impenjohet me të gjitha forcat për zgjidhjen e konflikteve e të kundërvënieve ndërmjet bashkësive të ndryshme”.
Çmimi - sipas agjesisë Apic - nisi të jepej që më 1996 nga Fondacioni Kombëtar për harmoninë e përgjithshme, një ent autonom, i lidhur me ministrinë e brendshme indiane.
“Ky çmim - tha atë Emanueli - është domethënës, në një kohë kur disa grupe duan ta polarizojnë shoqërinë mbi bazën e fesë. Kisha katolike – shtoi - nuk ka të bëjë fare me prozelitizmin, por ka të bëjë, edhe shumë madje, me përpjekjen për të vendosur paqen e harmoninë ndërmjet të gjitha feve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.