2009-01-30 17:13:49

“Shoah e misteri i Zotit”- editorial i Atë Lombardit.


(30.01.2009 RV)RealAudioMP3 Kardinali Valter Kasper, kryetar i Komisionit për marrëdhëniet me hebraizmin, i dërgoi një letër Rabinatit të Madh të Izraelit, duke i propozuar të mos e shtyjë takimin hebraiko-katolik që, sipas programit, duhet të mbahet në marsin e ardhshëm në Romë, takim që u vu në diskutim pas deklaratave të pakuptim të ipeshkvit lëfevrian Riçard Uiljamson, i cili mohoi shfarosjen masive të hebrenjve në kampet naziste të përqendrimit. Kujtojmë se Papa i dënoi ashpër këto mohime. Lidhur me situatën e krijuar ndërmjet hebrenjve e katolikëve, të dëgjojmë drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federiko Lombardin:

 
“Shoah e shtyn njerëzimin të reflektojë mbi pushtetin e paparashikueshëm të së keqes, kur pushton zemrën e njeriut”. Me këto fjalë, në përfundim të audiencës të së mërkurës, 28 janar, Papa rikujtoi meditimin e fjalimit të tij, mbajtur në kampin e përqendrimit të Aushvicit. E jo vetëm që dënoi çdo formë harrese ose mohimi të tragjedisë së shfarosjes të gjashtë milionë hebrenjve, por kujtoi edhe pyetjet dramatike, që lindin në ndërgjegjen e çdo njeriu e të çdo besimtari. Sepse është vetë besimi në Zotin që sfidohet nga kjo shprehje e frikshme e pushtetit të së keqes. Shprehja më e qartë për ndërgjegjen bashkëkohore, ndonëse jo e vetmja. Benedikti XVI e pranon plotësisht në fjalimin e Aushvicit, duke i drejtuar pyetjet e fuqishme të Psalmistit një Zoti, që duket sikur hesht e mungon.
Përballë këtij misteri të dyfishtë – të pushtetit të tmerrshëm të së keqes e të mungesës, në dukje, të Zotit – përgjigjja e vetme dhe e fundme e fesë së krishterë gjindet tek mundimet e Birit të Hyjit. Këto janë pyetjet më të thella e më të rëndësishme që bën njeriu e besimtari, në sa përshkohet nëpër rrugët e botës e të historisë. Nuk mundemi e as nuk duhet t’i shmangim; e aq më pak, t’i mohojmë. Në se jo, feja jonë është e rreme e e zbrazët. Kush mohon faktin e Shoah, nuk di gjë prej gjëje as për misterin e Hyjit, as për Kryqin e Krishtit. E është edhe më e rëndë, në se mohimi del nga goja e një prifti ose e një ipeshkvi, dmth e një meshtari të krishterë, i bashkuar qoftë ose jo me Kishën katolike”.







All the contents on this site are copyrighted ©.