2009-01-30 17:14:20

Sukses i Kanalit të Vatikanit në YouTube


(30.01.2009 RV)Sukses për Kanalin e Vatikanit në YouTube, që sot mbush një javë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, drejtori, atë Federiko Lombardi deklaroi se “gjatë gjashtë ditëve të para pas hapjes së kanalit të ri, atë e kanë parë në të katër gjuhët (italisht, anglisht, spanjisht e gjermanisht) 750 mijë vetë. Analistët e motorrit kërkimor në internet “Google” pohojnë se nga një krahasim me kanalet kryesore institucionale në nivelin botëror, këto numra, e aq më shumë numri i të regjistruarve që është 15 mijë vetë, tregojnë se kanali ynë është në të njëjtin nivel frekuentimi me të tjerët, të cilët janë hapur kohë më parë e pra, janë më të konsoliduar e me arkiva më të mëdha”. Atë Lombardi sqaroi se mesatarisht, janë publikuar dy videoklipe në ditë. Me rastin e Ditës së Kujtimit të Shoah-ut, janë publikuar tri videoklipe nga arkivat e Qendrës Televizive të Vatikanit, që paraqesin ndërhyrjet e Papës Benedikti XVI pikërisht mbi këtë temë. Në këtë mënyrë, përveçse videolajmet e ditës, kanë filluar të publikohen në YouTube edhe disa video historike. Kujtojmë se kanali i ri, që mund të konsultohet nga kushdo në internet, mbahet me kontributin e Qendrës Televizive dhe të Radio Vatikanit. Ai bën të njohur aktivitetin e Papës dhe të Kishës Katolike në botë, duke përdorur burimet e drejtpërdrejta dhe tekstet e plota të fjalimeve e të dokumenteve.








All the contents on this site are copyrighted ©.