2009-01-30 18:16:18

Qytet-Shteti i Vatikanit mbush 80 vjet.


(30.01.2009 RV)Qyteti i Vatikanit kremton 80-vjetorin e themelimit të tij, që përkon me nënshkrimin e Pakteve Lateranense të 1929-tës, ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë.
Këto pakte, gjithnjë aktuale, u nënshkruan me qëllimin e renditjes së veprimtarisë, së bashku e veçmas, në shërbim të së mirës së njeriut, për të arritur kështu në cakun e harmonisë shoqërore. Traktati mbyllte çështjen romake, duke themeluar Qytet-Shtetin e Vatikanit, ndërsa Konkordati ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Italisë, disiplinonte praninë e Kishës në jetën italiane.
Këto dokumente i dhanë fund ndarjes së dhimbshme ndërmjet qytetarit e besimtarit, duke krijuar mundësitë që besimtarët të marrin pjesë me të drejtë të plotë qytetarie në jetën e vendit dhe të thonë fjalën e tyre si katolikë në të gjitha fushat e jetës.
Vlerat e 11 shkurtit ndikuan fuqimisht edhe për vënien në dukje të rolit që luan Selia e Shenjtë në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim që të konkretizohet mesazhi, mbartës e zëdhënës i të cilit është vetë Kisha, e cila në çdo vend e në çdo kohë ka si qëllim të mbështesë kauzën e njeriut.
Kjo ngjarje e madhe e vitit 1929 shënoi fundin e kundërvënies ndërmjet shtetit e Kishës. Një kundërvënie e tillë vijonte që nga koha Lëvizjes për Bashkimin e Italisë në shekullin XIX, që i pati ndarë veçmas fatet e fesë nga ato të atdheut.
Theksoi kështu, se Kisha ka të drejtë të plotë të zhvillojë misionin e saj fetar dhe, në të njëjtën kohë, të punojë për paqen dhe progresin e popujve. Shteti e Kisha, duke shmangur çdo rrezik kundërvënieje, bashkëpunojnë me sukses për njeriun dhe lartësimin e tij shpirtëror e material. Në drejtpeshimin ndërmjet dy përkatësive, qëndron edhe e fshehta e lirisë dhe e progresit në Evropë. Ajo që ishte arritja e veçantë konkordatare, mund të bëhet referim i qartë për Evropën që vijon të bashkohet.







All the contents on this site are copyrighted ©.