2009-01-29 19:36:50

Sot u paraqit në Vatikan “Katalogu i dorëshkrimeve hebraike i Bibliotekës Vatikanase”.


(30.01.2009 RV)RealAudioMP3 Vëllimi, botuar vitin që shkoi, përfshin të gjitha dorëshkrimet në gjuhën hebraike që ruhen në Vatikan. Bëhet fjalë për afro 800 dokumente që ruhen në 11 fonde të ndryshme, e që shkojnë nga shek. IX deri në ditët tona. Botimi i kësaj vepre është një shembull domethënës i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve izraelite dhe atyre të Selisë Shenjte. Pikërisht mbi rëndësinë e këtij botimi flet prefekti i Bibliotekës Apostolike vatikanase Imzot Çezare Pazini:

Përgjigje: Ky është katalogu i parë i dorëshkrimeve vatikanase që botohet që nga kohët e Xhuzepe Simonio Asemanit, domethënë që nga shtatëqindëshi. Është një katalog me të vërtetë i plotë. Në të përfshihen 800 dokumente të bibliotekës. Është voluminoz, ka 800 faqe dhe është fryti i punës tepër të madhe të bërë nga shumë vetë e që ka zgjatur nja dhjetë vjet. Është i rëndësishëm sepse buron nga bashkëpunimi i përpiktë ndërmjet Bibliotekës vatikanase dhe Institutit të Dorëshkrimeve Hebraike në Mikrofilma (IMHM), që është institut i bibliotekës kombëtare dhe i universitetit të Jeruzalemit i cili mbledh mikrofilmat e dorëshkrimeve hebraike nga e gjithë bota. Mund të them me plot gojë se ishte një bashkëpunim shembullor në të gjitha etapat e veta. Ishte i gjatë e nëse për një kohë kaq të gjatë bashkëpunimi funksionon dhe ecën përpara do të thotë se çdo etapë është realizuar mirë.

Pyetje: Imzot Pazini, bashkëpunimi ndërmjet institucioneve kulturore të Selisë Shenjte dhe atyre hebraike që u realizua në këtë rast, është një fakt i jashtëzakonshëm apo jo?

Përgjigje: Është diçka e zakonshme që në bibliotekën e Vatikanit të vijnë studiues nga e gjithë bota, pra edhe hebrej, studjues nga Izraeli dhe kjo gjë ka ndodhur shumë herë. Më parë kemi pasur edhe kontakte me institucionet e Izraelit. Kemi pasur ndonjë ekspozitë apo ndonjë nismë tjetër. Sidoqoftë kontakti i parë i madh qe ai i shtatorit 2005: një ekspozitë me dorëshkrimet e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit. Në atë rast u patën dërguan në Izrael katër dorëshkrime. U vu re se kultura me të vërtetë e ndihmon bashkëpunimin. Kështu që secila palë vuri në përdorim kompetencën e vet nga pikëpamja organizative si edhe nga ajo kërkimore, për t’i paraqitur ato dorëshkrime sa më mirë. Këto vite ne kemi pasur një bashkëpunim shumë frytdhënës dhe që në përgjithësi ka vajtur mbarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.