2009-01-29 19:06:26

Papa gjykatës Rota Romana: vëmendje përballë shtimit të deklaratave për zgjidhjen e martesave, me pretekstin e papjekurisë psikike.


(29.01.2009 RV)RealAudioMP3 Duhet treguar kujdes i veçantë përballë shtimit të tepruar të deklaratave për anulimin e martesave, me pretekstin e ndonjë papjekurie ose ligështie psikike të njërit nga bashkëshortët. Këtë theksoi sot Papa, duke pritur në audiencë, në Sallën Klementine në Vatikan, Gjykatën kishtare të shkallës së dytë, që njihet me emrin Rota Romana e që merret kryesisht me gjykimin e një çështjeje tepër të vështirë, siç është zgjidhja e martesave, në një kohë kur Kisha katolike e konsideron sakramentin të pazgjidhshëm. Detyrë aspak e lehtë kjo, sepse, siç u shpreh sot Papa, gjatë gjykimit, vihet në lojë vetë e vërteta mbi martesën.
Ati i Shenjtë e mori shtytjen nga dy ligjërata, mbajtur 20 vjet më parë nga Gjon Pali II (më 5 shkurt 1987 dhe më 25 janar 1988) për të pyetur në ç’masë ndikuan këto dy fjalime në qëndrimin e gjykatave kishtare mbi këtë argument. E kemi të gjithë parasysh - pohoi Benedikti XVI – këtë problem, që vijon të jetë shumë aktual:

“Në disa raste, për fat të keq, vërehet se është tepër e mprehtë kërkesa, për të cilën fliste paraardhësi im i nderuar: ajo e ruajtjes së bashkësisë kishtare nga shkandulli i shkatërrimit praktik të vlerës së martesës së krishterë, për shkak të shtimit të tepruar e gati të pavetëdijshëm, të deklaratave për anulim, në rast të dështimit të martesës, me pretekstin e ndonjë papjekurie ose ligështie psikike të njërës palë”.

 
Papa kujtoi se punonjësit e drejtësisë kishtare duhet të jenë shumë të kujdesshëm e t’i trajtojnë çështjet me thellësinë, vërtetësinë e dashurinë e krishterë, karakteristike për gjykatën Rota Romana. E më pas vuri theksin mbi disa parime, që ndihmojnë për të dalluar vlefshmërinë e martesës, duke theksuar se ajo bazohet mbi zgjedhjen e lirë të rrugës së jetës dhe mbi aftësinë për t’u bërë ballë detyrave kryesore bashkëshortore:

“Rrezikohemi të biem në pesimizmim antropologjik që, në dritën e situatës së sotme kulturore, e konsideron pothuajse të pamundur martesën. Duke lënë mënjanë faktin se gjendja e martesës nuk është e njëllojtë në vende të ndryshme të botës, nuk mund të ngatërrohen me paaftësinë për t’u marrë vesh, vështirësitë në të cilat ndodhen shumë njerëz, posaçërisht të rinj, të cilët pastaj arrijnë në përfundimin se bashkimi martesor është normalisht i pamendueshëm e i papraktikueshëm. Madje pikërisht ripohimi i aftësisë për martesë, që lind bashkë me njeriun, është pika nga duhet të nisemi për t’i ndihmuar çiftet të zbulojnë realietin natyror të martesës e rëndësinë që ka në planin e shëlbimit”.

 
Ajo që vihet në fund të fundit në lojë – tha Papa – nuk varet nga sjellja e mëpasme e bashkëshortëve, por nga aftësia për ta ruajtur lidhjen martesore, e cila nuk duhet bazuar mbi faktorët e rastit, por mbi ushtrimin e lirisë njerëzore, të mbështetur nga hiri hyjnor.Papa kërkoi nga gjykatësit kishtarë ta sqarojnë mirë e në të gjitha drejtimet në se ekziston vërtetë paaftësia për ta vijuar lidhjen, para se të marrin vendim për anulimin e martesës.







All the contents on this site are copyrighted ©.