2009-01-29 19:08:13

Papa, ipeshkvijve rusë: përballojini së bashku me ortodoksët sfidat kulturore dhe etike.


(29.01.2009 RV)Të përforcohet dialogu me ortodoksët për të përballuar, të bashkuar, sfidat kulturore dhe etike: kështu u tha sot Papa, ipeshkvijve rusë në vizitë ad Limina në Vatikan.
Gjendja e Kishës në Rusi, tha Benedikti XVI gjatë audiencës, kërkon një impenjim më të madh për transmetimin e vlerave njerëzore e shpirtërore. E për këtë, është e rëndësishme të konsolidohet dialogu me ortodoksët. Pavarësisht nga hapat e bëra, vuri re Ati i Shenjtë, ekzistojnë akoma vështirësi. Papa sheh në zgjedhjen e metropolitit Kirill, si Patrik i ri i Moskës e i të gjitha Rusive, një mundësi më shumë në kapërcimin e këtyre vështirësive. Patrikut i bëri edhe një herë urimet më të mira për detyrën delikate kishtare, që ka marrë përsipër.
Ipeshkvijtë rusë, Papa i këshilloi të veprojnë të bashkuar në të gjitha veprimtaritë pastorale, duke përfituar nga përvoja e Kishës universale. U kujtoi Koncilin II të Vatikanit, për të cilin ipeshkvi është baza e bashkimit të grigjës së vet.
Edhe në Rusi, si në të gjithë botën, koha aktuale karakterizohet nga kriza e familjes e nga rënia e treguesve demografikë. Për të ndihmuar shoqërinë në zgjidhjen e këtij problemi, Benedikti XVI u kërkoi ipeshkvijve rusë t’u drejtohen të rinjve, të punojnë me ta përmes liturgjisë e katekizmit e të bashkëpunojnë me autoritetet shtetërore.
Duke i këshilluar të jenë etër e model në shërbim të vëllezërve, Ati i Shenjtë u tha prelatëve të mos shkurajohen, kur rezultatet nuk janë të pëlqyeshme e i ftoi të nxisin ata që kanë thirrje meshtarake ta ndjekin me besim Krishtin. Laikët – u tha Papa Racinger – duhet ta kuptojnë jetën si përgjigje ndaj thirrjes universale për shenjtëri. Është e rëndësishme që të krishterët t’i përballojnë të bashkuar sfidat kulturore dhe etike të momentit, që kanë të bëjnë me dinjitetin e njeriut dhe të drejtat e tij të patjetërsueshme, me mbrojtjen e jetës në të gjitha fazat, mbrojtjen e familjes e me çështje të tjera ekonomike e shoqërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.