2009-01-28 17:47:24

Obama: dialog me Islamin e Rusinë. Tension me Iranin


(28.01.2009 RV)RealAudioMP3 Pas intervistës së presidentit amerikan, Barak Obama për myslimanët në televizionin Al Arabija, reagon Irani. Për Teheranin, Obama duhet të tregojë me vepra se SHBA-të po ndryshojnë me të vërtetë. Sipas presidentit iranian, Ahmadinexhad, Uashingtoni duhet t’i japë fund mbështetjes për Izraelin, i cili konsiderohet regjim sionist, e t’i kërkojë falje Iranit për ndërhyrjet amerikane të 60 vjetëve të fundit.
E ndërsa Irani tregohet skeptik, puna e presidentit të ri amerikan i pëlqen Moskës. Rusia ka vendosur të pezullojë instalimin e raketave taktike në Kaliningrad, vendim i marrë fillimisht si përgjigje kundër vendosjes së raketave amerikane në Poloni e në Republikën Çeke. Lajmi është dhënë nga shtatmadhoria e ushtrisë, por nuk është konfirmuar akoma nga Kremlini. “Nëse është e vërtetë – komentojnë nga Uashingtoni – ky do të ishte një hap i madh pozitiv përpara”. Të dëgjojmë analistin e Qendrës italiane ushtarake të Studimeve Strategjike, Paolo Kuerçia:
Është e qartë se zgjedhja e Obamës, e sidomos hapat e para të diplomacisë së tij, sjellin me vete këtë ton qetësues. Por duhet edhe të reflektojmë sa real ishte ky kërcënim i Kaliningradit: ndoshta nuk ishte shumë konkret. Pastaj, është edhe efekti i krizës ekonomike, që në thelb i bën më pak të besueshme projektet e kushtueshme ushtarake, si nga njëra anë, ashtu edhe nga tjetra. Prandaj, ndoshta një dozë realizmi është në bazën e ndryshimit të marrëdhënieve ndërmjet dy fuqive.
Edhe pse këtij vendimi të Moskës nuk i korrespondon një vendim i NATO-s për të hequr dorë nga raketat në Poloni e në Çeki…
Jo, pikërisht. Ndoshta projekti do të ngadalësohet, por jo aq për shkak të ndryshimit të marrëdhënieve me Rusinë, se sa për ndryshimin e marrëdhënieve me Iranin. Hipoteza e luftës është më pak realiste se disa vjet më parë. E luftës me Iranin, sepse, kujtojmë se raketat do të ktheheshin sidomos drejt Iranit e vetëm një pjesë e vogël drejt Moskës.
Ky mund të jetë rasti për të përmirësuar marrëdhëniet e Rusisë me Naton…
Mbetet ndoshta një anë evropiane e vështirësive që NATO-ja ka me Moskën, sidomos për vendet e Lindjes që kanë hyrë në Pakt. Janë afër me Moskën e prandaj të pasigurta. Pastaj, kemi problemin energjitik, që shihet nga këto vende si kushtëzim i sovranitetit të tyre. Kjo bën që brenda NATO-s të ekzistojnë shumë qëndrime, të cilat presidenti i ri Obama duhet t’i ketë parasysh.







All the contents on this site are copyrighted ©.