2009-01-28 18:25:52

Motër Nirmalës i jepet një nga titujt më të lartë civilë indianë.


(28.01.2009 RV)Për veprimtarinë e saj shoqërore në Indi, Motra Nirmala Joshi, Eprore e përgjithshme e Misionareve të Bamirësisë, themeluar nga e Lumja Nënë Terezë, u nderua me titullin “Padma Vibhushan” (Dekorata e Lotusit), titulli i dytë i lartë që jep shoqëria indiane. Dhënia e titullit u njoftua më 25 janar, në festën e Republikës.
Kujtojmë se lotusi është lulja kombëtare e Indisë.
Deri tani këtë titull e kanë marrë 133 personalitete. Por asnjë nuk ka arritur të meritojë titullin më të lartë ‘Bharat Rtana” (Xhevahiri i Indisë), të cilin Vendi i madh aziatik ia dha më 1980 Nënës sonë Terezë, plot mirënjohje për veprimtarinë e saj të pashembullt në ndihmë të njerëzve më të braktisur të shoqërisë indiane.
Gjithsesi, lajmi i nderimit të Motër Nirmalës u prit me emocion të madh nga Kongregata e Misionarëve e Misionareve të Bamirësisë. Ndërsa rregulltarja 74-vjeçare me origjinë nepaleze, që nuk e priste fare këtë titull, pohoi se e ndjen veten shumë të nderuar, por se merita kryesore u takon krejtësisht Misionarëve të Bamirësisë – motrave e vëllezërve e njerëzve vullnetmirë që, për lavdi të Zotit, u japin ndihmesën e tyre të pakursyer të varfërve më të varfër.







All the contents on this site are copyrighted ©.