2009-01-28 17:48:47

Kirill, Patriku i ri i Moskës. Flet kardinali Kasper e imzot Peci


(28.01.2009 RV)RealAudioMP3 Kisha ortodokse ruse ka pra një Patrik të ri, ish-metropolitin Kirill, i cili konsiderohet si person që dëshiron bashkëpunimin me Vatikanin e me Kishën Katolike. Gjithashtu, ai është shprehur disa herë për pavarësinë më të madhe të ortodoksëve nga pushteti politik. Në votimin e djeshëm të përfaqësuesve të Kishës ruse, Kirill fitoi 508 vota nga 677 të mundshmet.
Siç e dëgjuat, Papa Benedikti XVI i dërgoi sot një telegram, ku e fton të bashkëpunojë me Kishën Katolike për të mirën e përbashkët të të krishterëve. Gjithashtu, Ati i Shenjtë e përmendi gjatë audiencës së përgjithshme. Nga ana e tij, edhe Këshilli Papanor për Bashkimin e të krishterëve përshëndeti me një komunikatë zgjedhjen e metropolitit të Smolenskut e Kaliningradit në detyrën e Patrikut të Moskës e të të gjithë Rusive. “Gëzohemi që kemi një Patrik, me të cilin kemi marrëdhënie vëllazërore prej vitesh dhe i cili, e ka takuar Atin e Shenjtë menjëherë pas zgjedhjes së tij në prill 2005 e më pas, edhe në muajin e majit 2006 e në dhjetor 2007”.
Urohet më pas që të dyja kishat të vazhdojnë të ecin sëbashku në rrugën e ekumenizmit. “Nuk duam t’i lemë mënjanë vështirësitë, që ekzistojnë akoma – shkruhet në komunikatën e dikasterit vatikanas – por jemi të gatshëm e kemi dëshirë të bashkëpunojmë në fushën shoqërore e kulturore për të dëshmuar vlerat e krishtera, pa harruar gjithsesi se qëllimi përfundimtar i dialogut është përmbushja e testamentit të Jezu Krishtit, Zotit tonë, e ky është bashkimi i plotë i dishepujve të vet”. Të dëgjojmë kardinalin Valter Kasper, president i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve:
Merita e madhe e Patrikut Aleksej II ka qenë rilindja e Kishës ortodokse pas periudhës së tmerrshme komuniste. Kirill ka thënë – e edhe mua personalisht – se sot nuk mjafton të restaurohen muret e kishave, është e nevojshme ripërtëritja shpirtërore: këto janë fjalët e Patrikut të ri e kjo është edhe një fazë e re për Kishën ortodokse e për dialogun ndërmjet nesh. Ne jemi gati, jemi disponibël. Kemi dëshirë të vazhdojmë dialogun. Mund të dialogojmë e të bashkëpunojmë në fushën kulturore e shoqërore, por kjo nuk na mjafton, sepse qëllimi i lëvizjes ekumenike është bashkimi i plotë. Duhet të vazhdojmë edhe dialogun teologjik me të gjitha Kishat ortodokse, përmes Komisionit të përzier ndërkombëtar. Duam pra, të vazhdojmë dialogun me Patrikun Kirill. Jemi të kënaqur për zgjedhjen e tij dhe i urojmë që të ketë të gjitha dhuratat e Shpirtit Shenjt, të nevojshme për të udhëhequr atë Kishë kaq të rëndësishme e të madhe, e në veçanti dhuratën e urtisë e të qëndresës.
Mbi mundësinë e një vizite të Papës në Rusi, të dëgjojmë mendimin e kryeipeshkvit të bashkësisë katolike të Nënës së Zotit në Moskë, imzot Paolo Peci:
Së pari, nuk e përjashtojmë këtë mundësi; së dyti, dëshirohet nga të gjithë; së treti, urojmë që kjo të bëhet në kohën që do të mundësohet nga hiri i Zotit e nga lavdia e Krishtit e së katërti, që ky të jetë një hap i përbashkët drejt bashkimit të plotë të të krishterëve. Patriku Kirill ka tashmë marrëdhënie me Kishën Katolike, është takuar herë të tjera me Papën, sigurisht që mund të hamendësojmë se ky takim i ri mund të bëhet.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.