2009-01-27 12:11:46

Vizita ad Limina Apostolorum e ipeshkvijve irakianë në Vatikan


(27.01.2009 RV)Thirrje drejtuar autoriteteve të Irakut për të mbrojtur të drejtat njerëzore e civile të të krishterëve në vend. E bëri Benedikti XVI gjatë audiencës me ipeshkvijtë irakianë, të cilët sot përfundojnë vizitën e tyre ‘ad Limina’ në Vatikan. Papa kujtoi dhunën që vijon ta mbytë në gjak edhe Kishën irakiane, e cila është vënë në provë të rëndë nga lufta. Emigrimi, dhuna, rrëmbimet e rrezikojnë seriozisht vetë ekzistencën e bashkësisë së vogël kishtare. Për këtë flet, në mikrofonin tonë, imzot Filip Najim, vizitator apostolik për besimtarët kaldej në Evropë:...RealAudioMP3
Përgjigje: - Një numër i madh të krishterësh po largohet nga Iraku për shkak të situatës aktuale, të vështirësive ekonomike e të mungesës së sigurisë. Por dhe të gjërave më të nevojshme për jetën e përditshme: benzinës, ujit, elektricitetit. Pavarësisht nga të gjitha këto, Kisha ecën përpara dhe vijon të punojë për t’u shërbyer të krishterëve që mbeten në Irak, duke dhënë mes tyre dëshminë e vet. Nuk janë të vetmit që vuajnë. Të njëjtat vështirësi kalojnë edhe vëllezërit myslimanë. Është një situatë që prek gjithë popullin irakian.

Pyetje: - Ç’po bën kisha vendase për të lehtësuar vuajtjet e të shpërngulurve e të refugjatëve të krishterë në Irak e në vendet fqinje?

Përgjigje: - Ipeshkvijtë tanë në dioqezat e tyre u qëndrojnë shumë pranë besimtarëve, përpiqen t’i kuptojnë e t’i ndihmojmë konkretisht. Prandaj mund të themi se Kisha është e gjallë, është ende e pranishme. Meshtarët vijojnë të punojnë me zell të madh e me impenjim të madh baritor edhe për t’u thënë të gjithëve me vepra, jo thjeshtë me fjalë: “Jemi këtu me ju, jemi pranë jush, vuajmë me ju!

Pyetje: - Si e shikoni ardhmërinë e të krishterëve në Irak?
 Përgjigje: - Të them të vërtetën, vëllazërimi, respekti reciprok, bashkëjetesa paqësore ndërmjet të krishterëve e myslimanëve ekziston prej vitesh. Më parë as që është vënë në diskutim çështja e feve. Ndërsa sot grupet fanatike duan të krijojnë vështirësi për popullin irakian e ta ngadalësojnë kështu procesin e paqes, që krijon kushte për një ardhmëri më të mirë. Por populli irakian e di se këto grupe integraliste janë aty vetëm për të përçarë e për të sunduar. Irakianët, myslimanë e kristianë, janë ende të bashkuar e vijojnë të punojnë së bashku për të dhënë ndihmesën e tyre në procesin e paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.