2009-01-27 12:11:15

Shoah-shfarosja e hebrejve, në magjisiterin e Benediktit XVI.


(27.01.2009 RV)RealAudioMP3 Këto ditë shtypi ndërkombëtar vijon të flasë për deklaratat e imzot Rikard Uiljamson, njërit prej katër ipeshkvijve tradicionalistë, të cilëve Papa ua hoqi shkishërimin: nëntorin e kaluar prelati, duke folur në Televizionin suedez, e mohoi Shoah, apo shfarosjen masive të hebrenjve në kampet naziste. Këto deklarata u dënuan ashpër nga anëtarë të tjerë të ‘Vëllazërive Meshtarake të Shën Piut X’, themeluar nga imzot Marsel Lëfevrë, të cilët kryejnë misionin e tyre në vende të ndryshme. Të gjithë kanë shprehur mendimin se bëhet fjalë për qëndrime personale, që nuk përfaqësojnë mendimet e të tjerëve e, aq më pak kanë të bëjnë me mësimet papnore e me qëndrimet e Kishës katolike, deklaruar solemnisht e disa herë. Duhet nënvizuar se magjisteri i Benediktit XVI përshkohet, që nga fillimi, nga vëmendja e madhe për hebraizmin.
Shenja e parë u duk menjëherë pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, kur Papa i ri iu përgjigj urimeve të dërguara nga Kryerabini i Romës, Rikard Senji, i ftuar në kremtimin e fillimit të Papnisë në Sheshin e Shën Pjetrit. I gjithë mendimi i Benediktit XVI, ashtu si dhe magjisteri që lidhet me hebraizmin, është në përkim të plotë me Deklaratën “Nostra Aetate”(1965), të cilën e citon vazhdimisht në fjalimet e tij, njëherësh me pohimet e paraardhësve, posaçërisht të Palit VI e të Gjon Palit II.
Fjalimet e Benediktit XVI gjatë vizitës në Sinagogën e Këlnit (19 gusht 2005) e në Aushvic (28 maj 2006) përbëjnë dy çaste kulmore të papnisë së Tij përsa u përket marrdhënieve ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve. Natyrisht nuk janë të vetmet. Duhet të kujtojmë edhe tre fjalime në SHBA e në Francë, vitin e kaluar. Gjatë vizitës në sinagogën e Këlnit, në vitin 2005, Benedikti XVI pohoi se do të vijonte me zell të madh udhën drejt përmirësimit të marrëdhënieve të miqësisë me popullin hebraik. Më pas e quajti Shoah krim të pashembullt, të planifikuar në çastin më të errët të historisë gjermane e evropiane, nga ideologjia e çmendur naziste, me zanafillë neopagane, që dëshironte ta shfaroste hebraizmin evropian. E, së bashku me Gjon Palin II ulte kokën për të nderuar kujtimin e të gjithë atyre, që e provuan këtë shfaqje të ‘mysterium iniquitatis’ - misterit të së keqes. Kujtonte, më pas, rrënjët e njëllojta dhe trashëgiminë e jashtëzakonshme, që është pasuri e përbashkët e të krishterëve dhe e hebrenjve, duke ripohuar se kush takon Jezu Krishtin, takon hebraizmin. Dënonte, pastaj, ashpër, urrejtjen, persekutimet dhe të gjitha shfaqjet e antisemitizmit, kurdoherë e nga kushdo. Inkurajonte dialogun e sinqertë e besimplotë ndërmjet hebrenjve e të krishterëve. Një dilalog ky - shtonte - që në se dëshiron të jetë vërtetë i sinqertë, nuk duhet t’i kalojë në heshtje ose t’i anashkalojë ndryshimet ekzistuese: edhe në gjërat që, për shkak të bindjeve tona të thella fetare, na dallojnë njëri nga tjetri, madje pikërisht në këto gjëra, duhet ta duam e ta respektojmë reciprokisht njëri-tjetrin.Gjatë vizitës historike në Aushvic-Birkenau (28 maj 2006) Benedikti XVI theksoi: “Të marrësh fjalën në këtë vend tmerri, ku janë grumbulluar krime kundër Zotit e kundër njeriut, që s’kanë shembull në histori, është pothuajse e pamundur - e posaçërisht e vështirë dhe e rëndë për një të krishterë, për një papë që vjen nga Gjermania. Në një mjedis si ky, fjalët humbasin kuptimin, duke i lëshuar vendin heshtjes tronditëse, heshtjes, që bëhet britmë lartuar drejt Zotit: ‘O Zot, pse heshte? Pse e lejove gjithë këtë tmerr? Sa pyetje lindin në këtë vend! E lind rishtas pyetja: “Ku ishte Zoti këto ditë? Pse heshti? Si mundi ta duronte gjithë këtë shkatërrim, që i tejkaloi të gjitha masat, këtë ngadhënjim të së keqes? Që na kujton tronditshëm ankimin e Psalmistit: “Pse na e fsheh, o Zot, fytyrën tënde, e harron mjerimin e shtypjen tonë? Sepse u flakëm në pluhur; trupi për dhe na u shtrua, si të ishte pa jetë. Zgjou e na ndihmo! Në mirësinë tënde, shpëtona!”. Kjo britmë ankthi që izraeliti i larton Zotit në periudha angushtie të thellë, është edhe britma për ndihmë e të gjithë atyre që, në rrjedhë të historisë - dje, sot e nesër- vuajnë për dashuri të Hyjit, për dashuri të së vërtetës e të së mirës; e janë të shumtë, edhe sot! Benedikti XVI e përfundoi fjalën e tij, duke nënvizuar: “Vendi ku gjindemi është vend i kujtimit, e vendi i Shoah. E kaluara nuk është kurrë vetëm e kaluar. Ajo ka të bëjë me ne e na tregon në cilat rrugë duhet e në cilat nuk duhet të ecim. Ashtu si Gjon Pali II, përshkova udhën e lapidareve të cilët, në gjuhë të ndryshme, kujtojnë viktimat e këtij vendi: janë lapidare mbi të cilat shkruhet në gjuhën bjelloruse, gjermane, çeke, franceze, greke, hebraike, kroate, italiane, judeo-gjermane, hungareze, holandeze, norvegjeze, polake, rumune, cigane, sllovake, serbe, ukrainase, judeo-hispanike, angleze... Këto lapidare flasin në të gjitha gjuhët për dhimbjen njerëzore, të kujtojnë cinizmin me të cilin ky pushtet i trajtonte njerëzit si të ishin sende e jo njerëz, që pasqyrojnë shembëlltyrën e Zotit. Disa nga lapidaret të ftojnë për një përkujtim të posaçëm. Një ndër to është ai në gjuhën hebraike. Pushtetarët e Raihut të Tretë dëshironin ta zhduknin plotësisht popullin hebraik, ta shlyenin nga lista e popujve të tokës. Atëherë fjalët e Psalmit: “Jemi të dënuar me vdekje, si delet që i çojnë te kasapi” vërtetohen në mënyrë të tmerrshme. Në fund të fundit këta kriminelë të paskrupull, duke e zhdukur këtë popull, deshën të zhduknin atë Zot që thirri Abrahamin; që, duke folur mbi Sinai, i dha njerëzimit kriteret orientuese, me vlerë në amshim. Në se ky popull, vetëm me ekzistencën e tij, përbën një dëshmi të atij Hyji, që i foli njeriut e e bëri të vetën çështjen e tij, atëherë ky Hyj duhej më në fund të vdiste e sundimi i tij t’i përkiste vetëm njeriut - vetëm atyre që besonin se ishin tejet të fortë e se kishin ditur ta shtronin nën këmbë botën mbarë. Me shkatërrimin e Izraelit, me Shoah - pohon Benedikti XVI - dëshironin, në fund të fundit, të shkulnin edhe rrënjën nga e cila nis feja e krishterë, duke e zëvendësuar përfundimisht me fenë e tyre, fenë e sundimit të njeriut, të pushtetit të të fortit.







All the contents on this site are copyrighted ©.