2009-01-26 18:36:33

U bë i njohur programi i udhëtimit të Papës në Kamerun e Angola


(26.01.2009 RV)Mungojnë më pak se dy muaj nga udhëtimi i ardhshëm apostolik i Papës Benedikti XVI në Afrikë, ku do të shkelë për herë të parë në harkun e papnisë. Sot paradite, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë bëri të njohura aktivitetet, që do të zhvillohen nga 17 deri më 23 mars, në ditët e vizitës në Kamerun e Angolë.
Gjashtë orë udhëtimi, nga Vatikani në Ekuador, për të çuar gjithë kujdesin e shqetësimin e tij në kontinentin e zi, ku parashikohet që Papa të mbërrijë në orën 16 të 17 marsit të ardhshëm. Në kryeqytetin e Kamerunit, Jaundè, Ati i Shenjtë do të mbajë fjalimin e tij të parë. Të nesërmen, takimet institucionale me presidentin e vendit dhe me sivëllezërit e episkopatit lokal e me të gjitha nivelet e hierarkisë kishtare. Këto takime do të përfundojnë me Lutjen Mbrëmësore me karkter ekumenik në Bazilikën e Shën Marisë, Mbretëresha e Apostujve.
Më 19 mars, Benedikti XVI do të zhvillojë një bisedë me përfaqësuesit myslimanë të Kamerunit e në orën 10, në stadiumin e Jaundesë, do të kremtojë Meshën solemne, gjatë së cilës do t’u dorëzojë idealisht të gjithë ipeshkvijve të Afrikës, Instrumentum Laboris për Sinodin e tyre të ardhshëm.
Më 20 mars, Papa do të niset për në Angolë, ku pas ceremonisë së mirëseardhjes në kryeqytetin Luanda, do të takohet me presidentin dhe me autoritetet civile të vendit. Me pas, takimi vëllazëror me ipeshkvijtë e Angolës e të Shao Tomè, të cilët bëjnë pjesë në të njëjtën Konferencë ipeshkvnore. Në orën 10 të datës 21 mars, Benedikti XVI do të kremtojë Meshën në Kishën e Shën Palit në Luandë e pasdite do të takojë të rinjtë në stadiumin e qytetit. Të dielën, më 22 mars, Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën në praninë e ipeshkvijve të Imbisës, ku përfshihen prelatët e Mitingut ndërrajonal të Afrikës së Jugut. Pasdite, Papa do të takohet me Lëvizjet katolike për promovimin e gruas. Të nesërmen, në orën 10.30, Benedikti XVI do të largohet nga Afrika për t’u kthyer në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.