2009-01-26 18:35:37

Përkujtojmë sot Shenjtorët Timoteu e Titi, Ipeshkvij


(26.1.2009 RV)Shenjtorët Timoteu e Titi janë fryt i predikimit dhe i veprimtarisë së Apostullit të Popujve. Ishte Pali ai që i ndihmoi të ktheheshin, që i ushqeu me dashuri kristiane e atërore e që i bëri dy fanarë të ndritshëm për njerëzimin.
Pali u takua për herë të parë me Timoteun, ende djalosh i ri, në Listri: ai ishte bir i një babai pagan e i një nëne hebreo-kristiane me emër Euriçe, dishepulle e Shenjtit e bashkëpunëtore e tij. I edukuar në frymën e Shkrimit Shenjt, duke dëgjuar fjalët e Apostullit e duke parë veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme, u kthye në fe dhe u pagëzua nga vetë Pali, i cili më pas e mori me vete. E gjithë jeta e Timoteut do të lidhej ngushtë me atë të Apostullit, për të cilin do të bëhej bir, bashkëpunëtor, shok udhe, mik, trashëgimtar.

Titi lindi prej prindërve grekë, akoma paganë. U pagëzua nga Apostulli, i cili e përcolli në Konçilin e Jeruzalemit. Më vonë e gjejmë në Kretë, në Maqedoní, në Romë e Dalmací.
Timoteu e Titi, të dy dishepuj e bashkëpunëtorë të Shën Palit, u caktuan prej tij si barinj: i pari i Kishës së Efezit e i dyti, i Kretës.
Pas martirizimit të Shën Palit, Timoteu vijoi të kryesonte Kishën e Efezit deri në vitin 97 kur, sipas traditës, vdiq në kulmin e veprimtarisë baritore. Njoftimin e fundit për të na e jep Shën Pali pak para se të martirizohej: “Titi është në Dalmaci”. Nuk kemi më asnjë njoftim tjetër. Kujtojmë se këtyre dy dishepujve, Shën Pali u drejtoi tri letra me përmbajtje baritore. Janë të vetmet letra të Shkrimit Shenjt drejtuar një individi, të pasura me hollësi nga jeta e Apostullit që, tashmë i plakur, gëzohet se lë pas dy bij në Krishtin, për të vijuar misionin.Përmes dy Shenjtorëve Pali mundi të mishëronte atë, që është zemra e predikimit të tij: feja në Krishtin e çliron njeriun nga ligji, ndonëse shëlbimi vjen nga judenjtë, nga fisi i Davidit. Ajo që ka vërtetë rëndësi, është ndërgjegjja e pastër e besimi i patundur në Zotin, i vënë në jetë përmes veprave të mira.







All the contents on this site are copyrighted ©.