Papa në Engjëllin e Tënzot: “Kthimi i Shën Palit, shembull që tregon se takimi me
Krishtin e shndërron jetën e njeriut”.
(26.1.2009 RV)Takimi me Krishtin, që shënon një kthesë rrënjësore në jetën
e njeriut, ishte në qendër të lutjes së Engjëllit të Tënzot të Papës, në festën e
‘Kthimit të Shën Palit”. Pas lutjes mariane, Benedikti XVI kujtoi Ditën botërore të
të sëmurëve nga gërbula dhe Vitin e ri hënor, që do të kremtohet në vendet aziatike.
Pastaj, takimi gazmor me të rinjtë e Veprimit katolik, ardhur në Sheshin e Shën Pjetrit
me “Karvanin e paqes”.
“Përvoja e Apostullit të Popujve mund të jetë model
për çdo kthim të vërtetë në fenë e krishterë”. Kështu u shpreh Papa, i cili dje pasdite
kryesoi, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, një takim lutjeje, në përfundim
të Javës kushtuar bashkimit të të krishterëve. Ishte një ngjarje e madhe ekumenike,
me vlerë të posaçme në Vitin kushtuar Apostullit të Popujve. Këtij takimi i parapriu
lutja e Engjëllit të Tënzot, gjatë së cilës Ati i Shenjtë theksoi se Shën Pali na
tregon rrugën në të cilën duhet të ecim, për të arritur sa më shpejt tek bashkimi:
“Natyrisht,
ne të krishterët nuk e kemi arritur akoma cakun e bashkimit të plotë, por në se bëjmë
vazhdimisht kthesë në takimin me Zotin Jezus, do ta arrijmë sigurisht”. Nga
Ungjilli i djeshëm, Papa kujtoi predikimin e parë të Jezusit në Galile: “Koha u plotësua
e Mbretëria e Hyjit është ngjat!” - që na çon te kthimi i Shën Palit në rrugën e Damaskut,
ku u takua me Krishtin e ngjallur, takim që ia ndryshoi rrënjësisht jetën. Sauli e
kuptoi – vërejti Papa – se shëlbimi i tij nuk varej nga veprat e mira të kryera sipas
Ligjit, por nga fakti se Jezusi kishte vdekur e ishte ngjallur edhe për të – persekutuesin.
Edhe për secilin nga ne të kthehesh do të thotë të besosh se Jezu Krishti e dhuroi
vetveten edhe për ne, duke vdekur mbi kryq e se, i ngjallur, jeton me ne e në ne:
“Duke
ia besuar veten forcës së faljes së tij, duke e lënë të më marrë për dore, mund të
dal nga rëra e lëvizshme e mburrjes dhe e mëkatit, e gënjeshtrës dhe e trishtimit,
e egoizmit dhe e çdo sigurie të rreme, për ta njohur e për ta jetuar pasurinë e dashurisë
së Tij”.
Pas kremtimit të Engjëllit të Tënzot, Benedikti
XVI kujtoi Ditën botërore të të sëmurëve nga gërbula, që kremtohej dje, duke theksuar
afërsinë e tij e të Kishës ndaj atyre që vuajnë e veçohen për shkak të kësaj sëmundjeje:
“Gëzohem
që Kombet e Bashkuara, me një Deklaratë të kohëve të fundit të Komisariatit të Lartë
për të Drejtat e Njeriut, i nxisin shtetet të kujdesen për të sëmurët nga gërbula
e për familjarët e tyre”.
Pastaj Papa i uroi mbarë
popujt e Azisë lindore, të cilët përgatiten për të kremtuar Vitin e ri hënor, ta kalojnë
me gëzim këtë festë, sepse gëzimi – nënvizoi Ati i Shenjtë – tregon se njeriu është
në harmoni me vetveten. E njeriu është në harmoni me vetveten, vetëm atëhere kur është
në harmoni me vetë Zotin e me Krijimin:
“Uroj – tha Benedikti
XVI – që gëzimi të jetë përherë i gjallë në zemrën e të gjithë qytetarëve
të këtyre Kombeve, aq të dashura për mua, e të rrezatojë mbi gjithë botën”. Në
përfundim Ati i Shenjtë u drejtoi përshëndetjen e tij të përzemërt të rinjve e fëmijëve
të Veprimit katolik e të famullive romake, që morën pjesë në ‘Karvanin e paqes”, i
cili arriti në Sheshin e Shën Pjetrit, pasi pati përshkuar rrugët e qytetit, i shoqëruar
nga kardinali-vikar, Agostino Valini. E sivjet mesazhin e tyre të paqes e lexoi një
vajzë 11 vjeçe, Miriami e cila, pranë Benediktit XVI në dritaren e Pallatit Apostolik,
ndërmjet tjerash, tha: “Erdhëm deri këtu duke përshkuar rrugët e qytetit tonë, me
zemrën plot gëzim e, së bashku me ty, duam t’ua shprehim të gjithëve me zë të lartë
dëshirën tonë për paqe”. E Papa ua ktheu:
“Të dashur të rinj, me ndihmën
e Jezusit, ndërtojeni paqen në shtëpi, në shkollë, në sport e kudo. Ju falenderoj
përsëri!”.
Pas përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme,
duke iu drejtuar në mënyrë të veçantë shtegtarëve të gjuhës angleze, Ati i Shenjtë
rikujtoi mesazhin e tij për Ditën e komunikimeve shoqërore, duke nënvizuar se ‘përdorimi
i urtë i teknologjive informatike mund të ndihmojë në formimin e bashkësive të afta
për t’i dhënë një shtytje të re kërkimit të së vërtetës, të së mirës e të së bukurës’. Takimi
i djeshëm i Engjëllit të Tënzot me besimtarët u mbyll me fluturimin e dy pëllumbave
të bardhë, simbol i paqes, që iu dorëzuan nga vogëlushët Marku e Valeri Papës, i cili
pastaj i lëshoi; e ata morën fluturimin në qiellin që dje, pas shumë shirash, ishte
i kaltër e të kujtonte afrimin e pranverës.