2009-01-26 18:34:31

Në vizitë "ad Limina" ipeshkvijtë e Rusisë. Intervistë me imzot Paolo Pecin


(26.01.2009 RV)Ndër audiencat që impenjuan Papën sot paradite, ishin edhe ato me ipeshkvijtë e Rusisë, të cilët ndodhen për vizitë “ad Limina” në Vatikan deri të enjten. Kryeipeshkvi i Nënës së Zotit në Moskë, imzot Paolo Peci flet në mikrofonin tonë mbi situatën aktuale të Kishës katolike në Rusi, duke filluar që nga rilindja e saj, me rënien e diktaturës sovjetike:RealAudioMP3
Rithemelimi, edhe formal, i bashkësive katolike përreth ipeshkvijve e meshtarëve në famulli: ky më duket se është fenomeni më domethënës e më mallëngjyes. Pas vitesh martirizimi e persekutimi të vërtetë, shihet si rilindin këto bashkësi, me pasion për krishterimin, për Krishtin e prandaj edhe për njeriun, me besnikëri ndaj ipeshkvijve, që në fund të fundit për ta janë krejtësisht të panjohur. Një tjetër etapë e rëndësishme ka qenë hapja e seminarit të Shën Pjetërburgut, i vetmi seminar, që përgatit meshtarë për krejt Rusinë…
Në vitin 1997 u miratua një ligj mbi kultet, që në atë kohë u kundërshtua edhe nga Kisha Katolike, pasi tepër i kufizuar. Si është gjendja e lirisë fetare në vend sot e cilat janë marrëdhëniet me shtetin?
Kemi të njëjtat vështirësi, që mund të hasen edhe në vende të ndryshme perëndimore. Krishterimi has gjithnjë kundërshtime në këtë botë. Ndërkaq, do të thosha se, megjithëse nuk mungojnë problemet me disa nga autoritetet lokale, marrëdhëniet me shtetin janë të mira. Madje, shteti na ka ndihmuar kur kemi ndeshur vështirësi, sidomos me meshtarët e huaj, që vinin për të shërbyer në Rusi.
Ç’mund të na thoni për marrëdhëniet me Kishën ortodokse?
Para së gjithash, mund të them se ekziston shqetësimi i përbashkët që krishterimi të mos largohet nga shoqëria civile, por të mishërohet gjithnjë e më shumë në indin shoqëror. Të mos harrojnë se Rusia është një vend, ku pavarësisht nga vite ateizmi e lufte kundër Kishës, krishterimi është rrënjosur thellë në popull. Natyrisht, është një krishterim që duhet rijetuar me vetëdije si përvojë feje. Gjithashtu, mendoj se edhe intensifikimi i bisedave dhe i takimeve ndërmjet eksponentëve dhe personaliteteve të Kishës Katolike e të Kishës ortodokse është domethënës.
Cilat janë sfidat kryesore të Kishës katolike në Rusi?
Medoj se sfida e parë e madhe është ajo e pranisë së krishterë në ambiente të ndryshme. Njeriu në Rusi, si në çdo vend të botës, ka nevojë ta takojë Krishtin e të gjejë përgjigjen që i jep domethënie jetës së vet. Këtu, ne si Kishë Katolike, në dëshminë tonë të përbashkët me atë ortodokse, mund të japim kontributin tonë. Një sfidë tjetër, që e konsideroj thelbësore, është kujdesi kapilar për familjen: kemi nevojë si për bukën, për një vend ku njeriu të lindë, të rritet e të edukohet me bukurinë e jetës, me idenë e përgjegjësisë e ky vend është familja… Sfida e tretë është mishërimi i vazhdueshëm i mesazhit të krishterë në realitetin ku jetojmë.







All the contents on this site are copyrighted ©.