2009-01-26 18:34:08

Bioetika dhe kriza ekonomike botërore, ndër temat e audiencës së Papës për ambasadorin e ri francez pranë Selisë së Shenjtë


(26.01.2009 RV)Udhëtimi apostolik në Francë, debati mbi bioetikën dhe mbi krizën aktuale financiare ishin disa nga temat në qendër të audiencës, që Papa Benedikti XVI i rezervoi sot ambasadorit të ri francez pranë Selisë së Shenjtë, Lefevrë dë Labulav.
Papa shprehu kënaqësi mbi punën e kryer nga komisioni parlamentar për çështjet që kanë të bëjnë me përfundimin e jetës. Sipas Benediktit XVI, janë arritur përfundime të urta, të cilat lejojnë shumëfishimin e përpjekjeve për t’i shoqëruar të sëmurët në vuajtjet e tyre. E njëjta urti, uron Ati i Shenjtë, duhet treguar edhe në rishikimin e ligjit mbi bioetikën, i cili duhet të njohë karakterin e padhunueshëm të jetës. Duke iu referuar marrëdhënieve ndërmjet Vatikanit e Francës, Papa Racinger përmendi edhe njohjen e diplomave të Universiteteve Papnore e të Instituteve katolike nga ana e shtetit francez, uroi që masat e marra nga qeveria e Parisit për të kapërcyer krizën botërore financiare të favorizojnë mbrojtjen e qytetarëve më të varfër dhe nxiti një rol më të madh të Francës në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve e arritjen e paqes në botë.








All the contents on this site are copyrighted ©.