2009-01-25 13:12:28

Në Tarragonë të Spanjës kremtohet solemnisht 1. 750 vjetori i martirizimit të Shën Frutuozit.


(25.01.2009 RV)RealAudioMP3 Sot pasdite, në Tarragonë të Spanjës, u mbajt një kremtim solemn eukaristik me rastin e 1750 vjetorit të martirizimit të ipeshkvit, Shën Frutuozi dhe të diakonëve Shën Auguri e Shën Eulogji. Kremtimin e kryesoi i dërguari i posaçëm i Atit të Shenjtë, kardinali Hulian Herranz, kryetar nderi i Këshillit Papnor për Tekstet Ligjore.Kujtojmë se ipeshkvi Frutuozi dhe dy diakonët u dogjën të gjallë në amfiteatrin e Tarragonës më 21 janar të vitit 259. Qenë viktima të persekutimit, që shpërtheu kundër të krishterëve nën perandorët Valeriani e Galieni. Në Aktet e martirëve përshkruhet fundi tejet prekës i të treve e, posaçërisht i Shën Frutuozit. Në sa flakët shkrumbonin trupin e Bariut shenjt, ai shqiptonte fjalët tepër aktuale për ditën e sotme, me të cilën mbyllet Java 2009 e lutjes për bashkimin e të krishterëve: “Duhet të lutemi për Kishën, që shtrihet nga Lindja në Perëndim”. Historia e flijimit të tre martirëve të Tarragonës, është dokumenti më i lashtë i kësaj natyre në gadishllin iberik e përbën një dëshmi hagjiografike me rëndësi të dorës së parë për studimin e historisë së krishterimit në Spanjë, që nga zanafilla e tij. Historia e krishterimit spanjoll e konsideron Shën Frutuozin si martirin e vet të parë, të cilit i kushtohet edhe himni Pristephanon, shkruar nga poeti i njohur spanjoll i shekullit V, Aurel Prudenci.







All the contents on this site are copyrighted ©.