2009-01-25 13:13:31

Në solemnitetin e Kthimit të Shën Palit, Papa mbylli Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve.


(25.01.2009 RV)RealAudioMP3 Sot, solemniteti i ‘Kthimit të Shën Palit’, Papa Benedikti XVI kryesoi Lutjet e dyta mbrëmësore në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, duke përfunduar kështu edhe Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve 2009, me temë : “Le të jenë të bashkuar në dorën tënde”, marrë nga Libri i Ezekielit profet. E vegimi i lashtë i Ezekielit, është një shembëlltyrë, që flet qartë për bashkim, me vlerë për mbarë lëvizjen ekumenike, sepse vë theksin mbi kërkesën e domosdoshme të përtëritjes shpirtërore të të gjithë atyre, që bëjnë pjesë në popullin e Hyjit. E kjo përtëritje mund të bëhet e mundur vetëm me një kusht, atë të “kthimit të zemrave”, gjë që Java e lutjes e nxiti me nismat e saj të shumta.
U mbyll kështu një vit me peshë ekumenike. Shënoi hapa të rëndësishme përpara në përpjekjen për bashkimin e plotë të të krishterëve, në një botë gjithnjë më të përçarë, e cila kërkon dëshminë e tyre të njëzëshme. Ishte vit takimesh, dialogësh e gjestesh, që flasin për vëllazërim, për të cilat duhet falënderuar me gjithë zemër Zoti. Ndërmjet tyre, kujtojmë posaçërisht praninë e fjalën që mbajti Patriku ekumenik ortodoks, Bartolomeu I, në Sinodin e ipeshkvijve katolikë, kushtuar Fjalës së Zotit, në tetorin e kaluar, takimet e Papës me krerë të tjerë të kishave të ndryshme, si Karekini II e Arami I. Kujtojmë edhe afërsinë shpirtërore të Kishës katolike me Kishëm ruse, në çastin kur ndërroi jetë Patriku i saj, ‘vëllau në Krishtin’, Aleksej II, e edhe tani kur pritet zgjedhja e pasardhësit. Gjatë këtij viti Papa u takua edhe me përfaqësues të bashkësive të ndryshme të krishtera të perëndimit, me të cilat vijon ballafaqimi mbi dëshmitë e rëndësishme, që duhet të japin sot njëzëri të krishterët, përballë sfidave të shumta me karakter kulturor, shoqëror, ekonomik dhe etik.
Kemi një dëshirë të flaktë, dëshirë zemre – theksoi Benedikti XVI në audiencën e përgjithme të së mërkurës së kaluar. Dëshirojmë të vijë sa më shpejt dita e bashkimit, kur të gjithë nxënësit e Zotit tonë të vetëm do të munden, më në fund, të kremtojnë së bashku Eukaristinë. Kujtojmë se në kremtimin e sotëm solemn në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Kishave e të bashkësive të tjera të krishtera, që kryejnë misionin në Romë.
E po sot, në të gjitha Kishat e botës u kremtuan Meshë shenjte kushtuar Solemnitetit e Javës, shoqëruar me lutjet e besimtarëve për kthimin e zemrave, e vetmja rrugë që çon edhe në bashkimin e të gjithë atyre, të cilët besojnë në një Krisht të vetëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.