(21.01.2009 RV)Sot kalendari liturgjik romak kujton Shenjtën virgjër, Anjezen,
kulti i së cilës është shumë i lashtë, gjë që e vërteton prania e emrit të saj në
Kanunin Romak, pranë e pranë me emrat e martirëve më të njohur: Luçisë, Çeçiles, Ages,
Anastases, Perpetuas e Feliçitas. Nuk dimë asgjë për familjen e Shën Anjezes. Vetë
emri i saj, që vjen nga greqishtja e do të thotë ‘e pastër’ ose e ‘dlirë’, mund të
jetë përdorur simbolikisht për të vënë në dukje cilësitë e vashës. Sipas mendimit
të shumë studiuesve, Anjezja mund të ketë derdhur gjakun për Krishtin më 21 janar
të një viti të papërcaktuar, gjatë persekutimit të Valerianit (258-260), por disa
të tjerë mendojnë se u martirizua nën Dioklecianin në vitin 304. Historia tregon se
kjo kohë pati një numër aq të madh të krishterësh të martirizuar, sa meritoi titullin
‘epoka e martirëve”. Edhe Anjezja e vogël iu nënshtrua këtij persekutimi. Shumë të
dhëna për shenjtoresn gjinden në ‘Depositio Martyrum’, kalendari më i lashtë
i Kishës romake, shkruar në vitin 336; por edhe në Martiriologun kartagjenas të shekullit
IV; në “De Virginibus’ të Shën Ambrozit, shkruar në vitin 377 si dhe në oden 14 të
‘Peristefhanon” të poetit spanjoll Prudenci e, së fundi në disa vargje të Papës shenjt
Damasit, që ruhen edhe sot në lapidarin e lashtë, murosur në bazilikën romake të
Shën Anjezes jashtë mureve. Nga gjithë këto të dhëna, mund të themi se Anjezes iu
pre koka në moshën 13 vjeçare për shkak të besimit të saj të palëkundshëm në Krishtin.
Në himnin ambrozian “Agnes beatae virginia” përshkruhet sesi vasha, në çastin e martirizimit,
mbulonte me kujdesin më të madh, me palën e petkut, trupin e saj virgjëror, në sa
fytyra i humbiste krejtësisht mes flokëve të gjatë e të dendur. Mbetej, kështu, e
dlirë, si kishte jetuar; martirizohej për ta ruajtur virgjërinë e saj për Zotin. Pas
vdekjes, trupi i martires u varros në një nga galeritë e njërës nga varrezat e krishtera
në rrugën Nomentana. Më pas mbi varrin e saj Kostandina, e bija e Kostandinit të madh,
ndërtoi një bazilikë për ta falënderuar shenjten, që kishte ndërmjetësuar për shërimin
e saj. Pranë bazilikës lindi një nga manastiret më të njohura romake. Kafka e Shën
Anjezes ruhet në ‘Sancta Sanctorum’, Kapelë Papnore në Bazilikën e Lateranit, ndërsa
pjesa tjetër e trupit, në bazilikën kushtuar Shenjtes. Nga gjithë këto të dhëna,
mund të arrijmë në përfundimin se Anjezja u mbyt në moshën trembëdhjetë vjeçare,
për të ruajtur fenë e virgjërinë. Ambrozi e Prudenci mendojnë se iu pre koka, ndërsa
Shën Damazi, se u dogj e gjallë. Besohet se vajza i pësoi të dy mundimet: u vu mbi
turrë të druve, por flakët u larguan prej saj e u turren drejt atyre që i kishin ndezur.
Atëherë u mbyt me shpatë. Vjen deri në kohët tona përshkrimi i çastit të fundit, kur
Virgjëra e njomë u afrua me çap të shpejtë tek xhelati, u lut, liroi qafën nga kurora
e dendur e flokëve të mrekullueshëm dhe zgjati kokën, që u rrokullis sakaq nën tehun
e shpatës. Pësoi, kështu, një martirizim të dyfishtë: derdhi gjakun për të mbrojtur
fenë e virgjërinë.
Lutja drejtuar Shën Anjezes: O e bindshmja Shën
Anjeze, sa ngazëllim të madh provove kur, në moshë të njomë, trembëdhjetë vjeçare, e
dënuar nga Aspasi për t’u djegur e gjallë, i pe flakët duke u larguar prej teje pa
të prekur fare e duke iu turrur atyre, që dëshironin vdekjen tënde. Pash gëzimin
shpirtëror, me të cilin more goditjen e fundit, duke e lutur ti vetë xhelatin të
ta ngulte në mes të kraharorit shpatën, që do kryente flijimin tënd, na e
nxjerr edhe ne hirin t’i durojmë, si ti, të gjitha persekutimet t’i mbartim të
gjitha kryqet, me të cilët vihemi në provë, e ta duam gjithnjë më shumë Zotin,
për të qenë në gjendje ta vulosim me vdekjen e të drejtëve, një jetë të kaluar
me pendesë e flijim.Amen!