2009-01-23 18:21:51

Sot në orën 12. 00 fjala e Benediktit XVI nisi të ndiqet në “You Tube”. Nisma u paraqit me Mesazhin e Papës për Ditën botërore të komunikimeve shoqërore.


(23.01.2009 RV)RealAudioMP3 Dita e sotme hap një faqe të re në historinë e Selisë së Shenjtë: nga ora 12. 00, në kanalin ‘You Tube”, mund të shihet figura e Papës e mund të dëgjohet edhe fjala e tij. E po sot, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, u paraqit Mesazhi i Benediktit XVI për Ditën Botërore të komunikimeve shoqërore, që do të kremtohet më 24 majin e ardhshëm. Përmes këtij dokumenti, Papa u drejtohet sidomos të rinjve, ‘breznisë dixhitale’, që posaçërisht prej saj të vijë hovi i ri për ta ungjillëzuar këtë ‘dhuratë të vërtetë të njerëzimit’, që është interneti, duke e bërë mjet të aftë për të promovuar vlerat e mëdha të jetës, e jo për t’i banalizuar marrëdhëniet njerëzore.
Pak klikime me mausin e ndërmjet miliona videosh që mbushin përplot kontejnerin e Youtube, sot mund të gjesh edhe informacionin e Vatikanit, të prodhuar çdo ditë nga Selia e Shenjtë. E gjithë kjo ka karakteristikat e interaktivitetit, që e kanë bërë jashtëzakonisht popullor, sidomos ndërmjet të rinjve, kanalin e themeluar në vitin 2005, që i përket Google. E pikërisht të rinjve ua drejton Papa mesazhin e tij për Ditën e ardhshme të komunikimeve shoqërore. “Teknologji të reja” do të thotë ‘marrëdhënie të reja” na kujton titulli i dokumentit papnor: një binom që Benedikti XVI e zhvillon më tej, duke folur për dritë-hijet e internetit, të fuqisë të jashtëzakonshme të teknologjive të reja e të kurtheve që ngrehin ata, të cilët e shfrytëzojnë këtë fuqi për ta bllokuar rrjetin – pohon Papa – me fjalë e figura poshtëruese për qenien njerëzore.
Analiza e Benediktit XVI niset nga vlerësimet pozitive të botës dixhitale e të përgjegjësisë që ka veprimtaria e saj. Mbi të gjitha – thotë Papa – arritjet e teknologjive të reja duhen vënë në shërbim të të gjithë njerëzve. I inkurajoj – shkruan Benedikti XVI – të gjithë punonjësit e këtij sektori kaq të rëndësishëm të mediave, të promovojnë kulturën e respektit, të dialogut, të miqësisë. Ndërkaq Papa dënon ashpër të gjithë ata, që e shfrytëzojnë për të ushqyer urrejtje e intolerancë, për ta poshtëruar bukurinë e intimitetin e seksualitetit njerëzor, për të shfrytëzuar njerëzit e ligshtë e të pambrojtur. Në rastin e fundit, Papa falënderon e vlerëson lart rrjetet dixhitale, që përpiqen të promovojnë solidaritetin njerëzor, paqen, drejtësinë, të drejtat e njeriut, posaçërisht në zonat e botës ku, për shkak të prapambetjes teknologjike, nuk mund të arrijë interneti. Do të ishte një dëm i madh për ardhmërinë e njerëzimit – nënvizon Ati i Shenjtë – në se mjetet e reja të komunikimit, që krijojnë kushte për të shkëmbyer e për të marrë informacione në mënyrë të shpejtë e të frytshme, nuk do të kapeshin nga ata që vijojnë të lihen mënjanë në aspektin ekonomik e shoqëror.
Një kapitull të veçantë Papa ia kushton atyre që e jetojnë përmasën e ‘kohës reale’ të rrjetit, duke u lidhur me të, për punë a për dëfrim, çdo ditë ose disa herë në ditë. Ati i Shenjtë vë theksin mbi rolin që luan kjo përmasë, për të siguruar lidhjen mes njerëzve, edhe atëherë kur jetojnë tepër larg njëri-tjetrit. Njëkohësisht hyrja në internet krijon mundësinë e shfrytëzimit më të lehtë e të menjëhershën të dokumenteve, të burimeve e të zbulimeve më të reja shkencore, duke mundësuar edhe punën në ekip të njerëzve nga vende të ndryshme.
Por duhen pasur mirë parasysh edhe rreziqet, që nuk mungojnë: nuk duhet të gënjehemi nga ata, që kërkojnë vetëm konsumatorë, në një treg me mundësi të pakufizuara, ku mund të banalizohen marrëdhëniet njerëzore, e sidomos, miqësitë ndërmjet të rinjve, të krijuara on-line, të cilat mund të bëhen shkaktare të izolimit e të shkëputjes nga marrëdhëniet reale shoqërore. Kjo mund të çojë në dëmtimin e pushimit, të heshtjes e të reflektimin, që janë të domososhme për zhvillimin e shëndetshëm njerëzor.
Thirrjen e fundit Papa ua drejton të rinjve katolikë. Rrjeti – shkruan – është një kontejnër vigan dixhital, në të cilin ju jeni të thirrur të dëshmoni Ungjillin. E që kjo të bëhet me sukses, Benedikti XVI bën një krahasim prekës: “Në kohët e para të Kishës – kujton – Apostujt e nxënësit e tyre e kumtuan Lajmin e Mirë të Jezusit në botën greke e romake: atëherë ungjillëzimi, për të qenë i frytshëm, kërkonte kuptimin e kulturës e të dokeve të këtyre popujve paganë, me ndjetin që kumtimi të prekte mendjet e zemrat; ashtu edhe sot kumtimi i Krishtit në botën e teknologjive të reja kërkon njohjen e thellë të tyre, për t’i përdorur pastaj në mënyrë të përshtatshme.

Duke iu përgjigjur, në Sallën e Shtypit, pyetjeve të gazetarëve të pranishëm, drejtori, Atë Federiko Lombardi, nënvizoi, ndërmjet tjerash, se aktivizimi i kanalit të Vatikanit në Yuo Tube u arrit pa shpenzime të veçanta, sepse u realizua nga disa kolegë të Qendrës Televizive Vatikanase e të Radio Vatikanit. Përfaqësuesi i Google saktësoi , nga ana e tij, se nuk do të fitojë asgjë nga kanali i Vatikanit. Por, për një reflektim të përgjithshëm mbi këtë bashkëpunim të ri, të ndjekim notën e Atë Federiko Lombardit:

“Edhe Papa arriti në Yuo Tube: ky është lajmi i bukur i sotëm.
Shumë njerëz në botë dëshirojnë të dinë, të njohin më mirë ç’mendon Papa, ç’propozon Kisha katolike për problemet e mëdha të botës së sotme. Me kanalin e ri të Vatikanit në You Tube, që fillon në anglisht, spanjisht, gjermanisht e italisht, qysh sot kjo do të jet më e lehtë.
Qendra Televizive e Vatikanit dhe Radio Vatikani, që prej një viti prodhojnë çdo ditë videonews me veprimtarinë e Papës dhe me ngjarjet e rëndësishme të Vatikanit. Tani janë gati për këtë hop ‘në arenën globale’, për ta vënë materialin e tyre në dispozicion të njerëzve të të gjitha vendeve, të të gjitha qendrimeve fetare e ideologjike, të cilët interesohen për fjalën e Papës e të Kishës katolike.
Nga faqja e internetit e kanalit, përmes disa hallkave lidhëse (link), mund të merret informacion më i zhvilluar, mund të shfrytëzohen tekste të plota, mund të lexohen komente, në mënyrë që të kontekstualizohen informacionet e shkurtëra të videonews.
Përmes formave të interaktivitetit, të zakonshme për Yuo Tube, mund të dërgohen edhe mesazhe, komente, të shkëmbehn me miqtë filmimet, që janë më interesante. Prej këndej, mund të themi se propozimi i Vatikanit përfshihet në klimën e dialogut, në klimën, që i hap rrugën komunikimit në të gjitha drejtimet.
Jemi në fillim të një udhe që, nëpërmjet rrjetit të madh global, do të na çojë larg. Papa, Kisha katolike, Qendra Televizive e Vatikanit e Radio Vatikani e shoqërojnë njerëzimin e sotëm në këto mënyra të reja të komunikimit, me pjesëmarrje e simpati të madhe”.







All the contents on this site are copyrighted ©.