Duke shfletuar kalendarin kishtar, përkujtojmë Shën Emerencianën
(23.01.2009 RV)Një autor i panjohur
i shekullit V i shtoi përshkrimit mbi martirizimin e Shën Anjezes, një kapitull të
tretë, në të cilin tregon si u kremtuan salikimet e shenjtores, si iu duk prindërve
tetë ditë pas vdekjes e si u themelua bazilika për nder të saj nga Kostanca, bija
e Kostandinit. Ndërmjet besimtarëve që morën pjesë në salikimet e Shën Anjezes,
kujtohet edhe Emerenciana, virgjër e katekumene. Në sa vijonin salikimet, një sulm
i papritur i paganëve fanatikë i shpërndau të krishterët. Po Emerenciana jo vetëm
që nuk iku, por nisi t’u bënte thirrje sulmuesve të hiqnin dorë nga urrejtja për të
krishterët, duke përfunduar e mbytur me gurë. Prindërit e Shën Anjezes e varrosën
trupin e saj në një nga pronat e tyre, fare pranë trupit të bijës së martirizuar.
Kështu Shën Emerenciana, që ende nuk e kishte marrë Pagëzimin shenjt, u pagëzua me
gjakun e vet, duke i hapur kështu udhën doktrinës së Pagëzimit të gjakut, sepse vdiq
për mbrojtjen e drejtësisë e duke dëshmuar Zotin. Në Martiriologun Jeronimian shkruhet
se Emerenciana u varros në Varrezën e madhe të rrugës romake Nomentana, së bashku
me një grup martirësh të tjerë, në krye të të cilit ishte Viktori. Duke qenë i lidhur
ngusht me Shën Anjezen, emri i saj fitoi popullaritet të madh. Shenjë e qartë e këtij
popullariteti është caktimi i përkujtimit të saj liturgjik më 23 janar, dy ditë pas
festës së Shën Anjezes. Festa e saj u caktua që në shekullin VIII e u regjistrua menjëherë
në Martiriologun e Bedës, në kodikët e vonë Jeronimianë dhe në Sakramentarin e Gjelazios,
prej nga kaloi pastaj në Mesharin dhe në Martiriologun Romak. Edhe në ikonografinë
e Varrezës së madhe, Emerenciana paraqitet më shumë në mes të grupit të martirëve,
pranë të cilëve ishte varrosur, por nuk mungojnë edhe ikonat e lashta në të cilat
paraqitet vetëm ose ndërmjet Shën Paolinës dhe Shën Daries, virgjëra. Mbi varrin
e martires, menjëherë pas përfundimit të martirizimit të të krishterëve, u ngrit një
kishë, që sipas Liber Pontificalis, u ndreq nga Adriani rreth viteve 772- 795. Në
shekullin IX reliket e Shën Emerencianës u mbartën në bazilikën e Shën Anjezes. Papa
Pali V porositi një arkëz artistike argjendi, në të cilën u mblodhën reliket e të
dyja shenjtoreve, për t’u vendosur pastaj në elterin e madh. Por kujtimi i martires
është i gjallë edhe në kisha e bazilika të tjera, posaçërisht në Romë, duke nisur
nga bazilika e Shën Anjezes në Sheshin romak Navona, ku në vitin 1123 iu kushtua një
elter, për të kaluar më pas në bazilikën e Shën Pjetrit in Vinkoli, ku ruhet koka
e saj, në Kishën e Shën Anjezes në Kampitel, ku ruhet një gisht e së fundi, tek
famullia e madhe në zonën Nomentana, me emrin e Shën Emerencianës. Shenjtorja
nderohet në të gjithë Evropën, posaçërisht në Spanjë, në Gjermani e në Belgjikë, ku
ruhen edhe sot shumë kapela ngritur që në lashtësi për nder të Virgjërës që u pagëzua
me gjakun e vet.