2009-01-22 19:25:03

Obama nënshkruan mbylljen e Guantanamos dhe kërkon një plan për tërheqjen nga Iraku


(22.01.2009 RV)Sytë e botës vazhdojnë të drejtohen nga Amerika, ku presidenti i ri Barak Obama nënshkroi sot urdhërin ekzekutiv për të filluar mbylljen e burgut të Guantanamos e për të ndryshuar procedurat e burgosjes e të pyetjes së personave të dyshuar për terrorizëm. Obama dëshiron të ndryshojë protokollin e CIA-s për të ndaluar kështu burgosjen e të dyshuarve si terroristë në vende të tjera. Gjithashtu, marrja në pyetje në çdo strukturë amerikane duhet të bëhet sipas manualit të ushtrisë të vitit 2006, i cili ndalon keqtrajtimet, përdorimin e qenve për frikësim dhe mbajtjen e kokës së të burgosurit nën ujë.
Po sot, Barak Obama i kërkoi stafit të vet ushtarak të hartojë një plan për tërheqjen “e përgjegjshme” të trupave amerikane nga Iraku dhe emëroi të dërguarin e veçantë amerikan për Lindjen e Mesme.
Një notë simpatike. Barak Obama u betua sërish, pas dyshimeve të ngritura nga disa avokatë kushtetues mbi vlefshmërinë e betimit të tij në Capitol Hill. Kujtojmë se ai bëri një gabim të vogël gjatë shqiptimit. Në përfundim të betimit të ri, Obama u tha gazetarëve: “Lajmi i keq vjen mbrapa: duhet akoma të shkojmë në një dyzinë me ballo”.







All the contents on this site are copyrighted ©.