2009-01-22 16:16:54

Ipeshkvijtë kaldej dhe sirio-katolikë kërkojnë një Sinod për Lindjen e Mesme


(22.01.2009 RV)Është urgjente që Papa të thërrasë sa më shpejt një sinod të përgjithshëm të të gjitha kishave të krishtera të Lindjes së Mesme, simbas shembullit të atyre të Amerikës Latine, Afrikës e Azisë. Këtë thirrje i bëri Papës Benediktit XVI një delegacion i ipeshkëvinjëve kaldenj dhe sirio-katolikë që vizituan Romën gjatë këtyre ditëve. Në fakt është e nevojshme që Selia Shenjte në bashkëpunim me të gjitha kishat lokale të ndjekë një strategji për të gjithë rajonin. Kjo është e vetmja mënyrë për të shmangur zhdukjen përfundimtare të krishterëve nga Iraku, Libani, Palestina dhe nga Jordania. Nga ana tjetër Kisha e Romës duket sikur nuk ka një plan të hollësishëm se si të ndërhyjë në të gjithë rajonin ndërsa kleri dhe besimtarët e ndjejnë veten të braktisur dhe të izoluar.

Gjatë një takimi me shtypin, arqipeshkëvi kalde i Kirkukut, Imzot Luis Sako kërkoi që “Selia Shenjte të mendojë për një Sinod të përgjithshëm të Lindjes së Mesme për këta të krishterë”. Aktualisht nënvizoi Imzot Sako “prania e kishës pothuejse mungon në rajon. Duhet të kujtohemi që Kisha nuk është vetëm lutje dhe liturgji. Edhe vëllezërit tanë myslimanë presin diçka prej nesh dhe ne jemi aty për t’i ndihmuar, për ta kuptuar pluralizmin përkrah njëri-tjetrit”.

Në takim ishin të pranishëm edhe ipeshkëvi ndihmës kaldè i Bagdadit, Imzot Zhorzh Kasmusa, kryeipeshkëv i Mosulit dhe Imzot Màti Matoka, kryeipeshkëv siro-katolik i Bagdadit. Duke motivuar kërkesën për një Sinod të përgjithshëm të Lindjes së Mesme, Imzot Sako në emër të të gjithëve shpjegoi se “problemet e të krishterëve janë të njëjta në Liban e në Palestinë, kështu që është e rëndësishne që të gjithë ipeshkëvinjtë e rajonit së bashku me ekspertë të Selisë Shenjte, të shqyrtojnë një varg çështjesh”.
Në këtë kuptim është urgjente, vijoi Imzot Sako “që të kemi një pozicion të qartë si Kishë në lidhje me problemet e hapura, përndryshe të krishterët do ta braktisin këtë tokë”. Është pra e rëndësishme që të gjitha kishat e lindjes, bashkë me Selinë Shenjte të studiojnë disa tema si marrdhëniet me islamin, rolin e të krishterëve në politikë, vlerën e dëshmisë së krishterë”.
“Kemi nevojë pë afrimin e Kishës – shtoi Imzot Sako. Kemi një lloj prandjenjeje se jemi të harruar dhe të izoluar, kështu që kur Papa na thotë një fjalë që na jep zemër kjo për ne është shumë e rëndësishme”.
Gjithashtu Imzot Sako përmendi faktin se në vitet e fundit në Irak ka pasur 500 martirë të krishterë për të cilët ai si kryeipeshkëv ruan listën e emrave. Më tej Imzot Sako vuri në dukje se koncepti i demokracisë nuk është i njëjti në perëndim dhe në lindje dhe që Iraku pas 35 viteve diktaturë dhe 5 viteve luftë ka nevojë në rradhë të parë për liri.







All the contents on this site are copyrighted ©.