2009-01-22 14:36:14

Emergjencat e aktualiteti, ndërmjet shqetësimeve të Komitetit ekumenik për marrëdhëniet me myslimanët në Evropë, në Munih të Bavarisë.


(22.1.2009. R.V.)RealAudioMP3 Të ndihmohen Kishat e fetë për t’u takuar në të përditshmen e tyre: ky është qëllimi për të cilin punoi katër vjet Komiteti për marrëdhëniet me myslimanët në Evropë, i mbledhur këto ditë në Munih të Bavarisë, në Gjermani. Organizmi, i themeluar nga Këshilli i Konferencave episkopale të Evropës dhe nga Konferenca e Kishave evropiane, në këtë seancë përfundon mandatin dhe së shpejti do të bëjë të njohur një dokument, në të cilin do të pasqyrohen rezultatet e punës katërvjeçare. Po cilat argumente u prekën në mbledhjen e Komitetit ekumenik këto ditë? Pyetëm një nga anëtarët, Atë Klaudio Mongen, epror i bashkësisë domenikane të Stambollit:
Përgjigje: - Nuk mund të harrojmë se në këtë çast jemi në fazën e një aktualiteti të posaçëm, atij të konfliktit në Lindjen e Mesme, që vijon përsëri. Për fat të keq, një komitet që mblidhet dy herë në vit, nuk mund të ndërhyjë mbi ngjarjet ngushtësisht aktuale; mund të reflektojë për to për të parë ç’mbetet pas këtyre ngjarjeve, në ç’pista duhet të vijojë punën, cilat janë – në rast nevoje – këshillat që mund t’u jepen Kishave të ndryshme, për një punë në vazhdimësi në territor, në vendin ku besimtarët e feve të ndryshme jetojnë ditë për ditë e takohen ditë për ditë. Kjo që po ndodh aktualisht vërteton edhe një herë faktin se, posaçërisht në Evropë – ku ka polarizime të menjëhershme, reagimet janë shpesh tepër ideologjike; vuajtjet – edhe ato të kaluarat – rikujtohen me gjithë dhimbjet e tyre, e atëherë kujtohemi, edhe më shumë, se gjithë kjo nuk është vetëm çështje që lidhet me fetë, por edhe me problemet e pafundme në këndvështrimin shoqëror, ekonomik e politik.

Pyetje: - Me ç’sy t’i shikojmë emergjencat aktuale?

Përgjigje: - Kjo situatë e posaçme, që po jetojmë në këtë çast, tregon se është shumë e vështirë të merremi me Islamin në Evropë e me dialogun islamo- kristian, pa pasur mirë parasysh edhe faktorin hebraik. E duhet të pranojmë se në këtë drejtim nuk kemi qenë të pranishëm aq sa duhej. Është tepër e rëndësishme ta kemi seriozisht parasysh edhe çështjen e ‘trialogut” e jo vetëm të dialogut.

Pyetje: - Ç’fryte ka dhënë puna e Komitetit për marrëdhëniet me myslimanët në Evropë?

Përgjigje: - Ndërgjegjësimin për faktin se duhet të punojmë gjithnjë më shumë gju më gju me partnerët myslimanë, edhe në punën teorike të reflektimit për problemet e për rrugën që ndiqet në zgjidhjen e tyre. Kemi pasur disa faza, disa çaste – posaçërisht në pjesën e dytë të mandatit tonë - në të cilat takimet janë organizuar nga partnerët myslimanë, nga bashkëbiseduesit; të punosh në këtë fushë, do të thotë të ‘punosh me’. Mund të arrihet një farë suksesi, në atë masë në të cilën punohet vërtetë gju më gju, gjë që pastaj ndikon edhe mbi bashkësitë tona, mbi atë që bëjnë; e kjo, për të shmangur rrezikun që të mbetet dialog elite, dialog dijetarësh, t’i quajmë kështu, ose zyrtarësh, por të jetohet vërtetë në të përditshmen e njerëzve tanë.

Pyetje: - Ju jetoni në Turqi; ç’mund të na thoni për dialogun me myslimanët në vendin ku kryeni misionin? 
Përgjigje: - Në se ekziston një dialog i mundshëm ndërmjet myslimanëve e të krishterëve, është vërtetë dialogu i besimit tek njëri-tjetri, që fitohet ditë për ditë, madje edhe në takimet më të rëndomta të lagjes, takime që i japin vendin e duhur të dyja palëve, duke nënvizuar aspektin e tyre si besimtarë. Ajo që na bën të përparojmë vërtetë e që na jep shpresë për të ardhmen, është takimi i përditshëm, për të krijuar besim e mirëkuptim reciprok, duke pasur mirë parasysh ndryshimin ndërmjet feve tona, që duhet të mbetet i tillë, që duhet të merret tepër seriozisht, edhe pse nuk ka dialog pa alteritet, pa dallime.







All the contents on this site are copyrighted ©.