2009-01-21 18:09:18

Sot, në përkujtimin liturgjik të Shën Anjezes, Papa bekoi dy qengja


(21,.01.2009 RV)Si çdo vit, sot, në festën e Shën Anjezes, sipas një tradite të lashtë, Papa bekoi dy qengja, që iu paraqiten në dy shporta të veshura me kadife të verdhë, stolisur me lule të bardha, ngjyrat e Vatikanit. Leshi i tyre do të përdoret për endjen e paliove të shenjta të cilat, si të jenë bekuar nga Papa, vendosen më pas në një arkë të vogël prej argjendi të praruar pranë Varrit të Shën Pjetrit e, që aty, më 29 qershor, mbi shpatullat e kryeipeshkvijve të rinj metropolitë, gjë që shpreh lidhjen e ngushtë të ipeshkvijve me Selinë e Shën Pjetrit.
Bekimi bëhet pikërisht në festën e Shën Anjezes, sepse shpesh, në figuret kushtuar Shenjtores janë të pranishëm edhe qengjat.
Kujtojmë se Shën Anjezja u martirizua në rrugën romake Nomentana aty nga fillimi i shekullit IV, pa i mbushur ende 12 vjetët, duke dëshmuar Krishtin, ndërsa shumë besimtarë nuk e patën guximin t'i vinin kokat nën tehin e shpatës së armiqve të Qengjit Hyjnor që shlyen mëkatet e botës.
Në përfundim të kremtimit të thjeshtë e të shkurtër të paradites së sotme, dy qengjat, i pari stolisur me një kurorë lulesh të bardha, simbol i virgjërisë, ndërsa i dyti me një kurorë lulesh të kuqe, ngjyrë e martirizimit, u çuan në kuvendin e motrave të Shën Çeçiles, të cilat pas ndonjë muaji do të fillojnë t'i endin paliot, pasi t'i qethin qengjat.
Sipas traditës, qengjat ia dhurojnë çdo vit Papës kanonikët e Shën Gjonit në Lateran, të cilët shërbejnë në bazilikën e Shën Anjezes jashtë mureve të Romës, ndërsa për t'i rritur mendojnë murgeshat të Shën Lorencit në Panisperna.







All the contents on this site are copyrighted ©.