2009-01-21 18:09:02

Papa në audiencën e përgjithshme: të krishterët të japin dëshmi uniteti, në një botë gjithnjë më të përçarë.


(21.01.2009 RV)“Në një botë gjithnjë më të përçarë është themelore dëshmia ‘e njëzëshme’ e të krishterëve”. E ky është edhe një nga fragmentet e katekizmit, që mbajti sot Benedikti XVI në Sallën e Palit VI në Vatikan, kushtuar Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, e cila përfundon të dielën e ardhshme. Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papës iu dorëzua titulli ‘Qytetar nderi’ i Mariacelit, qytet austriak, ku ngrihet Shenjtërorja mariane, të cilën Benedikti XVI e vizitoi gjatë shtegtimit të tij apostolik më 2007.
Një vit takimesh, dialogësh e gjestesh, që flasin për vëllazërim, për të cilat duhet falënderuar me gjithë zemër Zoti. Benedikti XVI foli për vitin 2008, që sapo përfundoi, si për një vit me peshë ekumenike e shumë të pasur me ngjarje historike: ndërmjet tyre, Papa kujtoi posaçërisht praninë e fjalën që mbajti një patrik ekumenik ortodoks në një mbledhje ipeshkvnore katolike, ngjarje e madhe, e cila u bë realitet në tetorin e kaluar, përmes fjalëve të Bartolomeut I, në Sinodin e ipeshkvijve kushtuar Fjalës së Zotit. E Papa ripohoi menjëherë, përballë mijëra besimtarëve të mbledhur në Sallën e Palit VI, qëllimin themelor të çdo Jave të lutjes, që kremtohet në fillim të vitit:

“Bashkimi i plotë lidhet me jetën e misionin e vetë Kishës në botë. Ajo duhet të jetojë një bashkim, që mund të burojë vetëm nga bashkimi i saj me Krishtin, me transhendencën e tij, si shenjë që tregon se Krishti është e vërteta. Kjo është edhe pergjegjësia jonë: të jetë e dukshme në botë dhurata e bashkimit, falë të cilit bëhet e besueshme feja jonë. Prandaj ka rëndësi që çdo bashkësi e krishterë të bëhet e vetëdijshme se është urgjente të punohet në të gjitha mënyrat e mundshme për ta arritur këtë qëllim të madh”.

 
Duke shpjeguar vegimin e lashtë të Ezekielit profet – ribashkimin e fiseve të Judës e të Izraelit – i cili përbën lajtmotivin e Javës së lutjes 2009, Benedikti XVI pohoi se kemi të bëjmë me një shembëlltyrë, që flet qartë për bashkim, me vlerë për mbarë lëvizjen ekumenike, sepse vë theksin mbi kërkesën e domosdoshme të përtëritjes shpirtërore të të gjithë atyre, që bëjnë pjesë në popullin e Hyjit. E kjo përtëritje – vërejti Papa – mund të bëhet e mundur vetëm me një kusht, atë të “kthimit të zemrave”, gjë që Java e lutjes e nxit me nismat e saj të shumta:

“Ky shpirt e gjallëroi Kishën katolike e cila, gjatë vitit të posakaluar vijoi, me bindje të patundshme, të rrënjosur në shpresë, të mbajë lidhje vëllazërore e respektuese me të gjitha Kishat e bashkësitë kishtare të Lindjes e të Perëndimit. Në larminë e situatave, herë pozitive e herë tjetër më të vështira, u përpoq të mos i mungojë kurrë impenjimi për t’i bërë të gjitha përpjekjet, që çojnë në rindërtimin e bashkimit të plotë. Marrëdhëniet ndërmjet Kishave e dialogët teologjikë vijuan të japin shenja inkurajuese afrimi shpirtëror”.

 
Përveç përqafimit me Patrikun Bartolomeu I dhe takimeve me krerë të tjerë, si ato të Kishës apostolike armene, Karekini II e Arami I – Papa kujtoi edhe afërsinë e tij shpirtërore me Kishëm ruse, në çastin kur ndërroi jetë Patriku i saj, ‘vëllau në Krishtin’, Aleksej II, duke pohuar se vijon të jetë shpirtërisht pranë atyre që janë duke zgjedhur pasardhësin:

Pata rastin të takoj edhe përfaqësues të Bashkësive të ndryshme krishtera të perëndimit, me të cilat vijon ballafaqimi mbi dëshmitë e rëndësishme, që duhet të japin sot njëzëri të krishterët, në një botë gjithnjë më të përçarë e përballë sfidave të shumta me karakter kulturor, shoqëror, ekonomik dhe etik. Për këto e për takime, dialogë e gjeste të tjera vëllazërore, që Zoti më dha mundësinë t’i realizoj, ta falënderojmë së bashku me gëzim Atë të Lumin”.
 
Kemi një dëshirë të flaktë, dëshirë zemre – përfundoi Benedikti XVI: dëshirojmë të vijë sa më shpejt dita e bashkimit, kur të gjithë nxënësit e Zotit tonë të vetëm do të munden, më në fund, të kremtojnë së bashku Eukaristinë. Kësaj dite të shumëpritur, duke ecur në gjurmët e mësimeve e Shën Palit, Ati i Shenjtë ia kushtoi ftesën përfundimtare:

“Çdo bashkësi të rritet në impenjimin e bashkimit, në sajë të nismave shpirtërore e baritore e të takimeve të lutjes së përbashkët, të cilat zakonisht bëhen më të shumta e më të thella gjatë kësaj Jave, duke parashijuar kështu, në një farë mënyre, ditën e bashkimit të plotë. Të lutemi që ndërmjet Kishave e bashkësive kishtare të vijojë dialogu i së vërtetës, i domosdoshëm për të zgjidhur mosmarrëveshjet; e ai i dashurisë së krishterë, që kushtëzon vetë dialogun teologjik e na ndihmon të jetojmë së bashku, për të dhënë kështu një dëshmi të njëzëshme”.

 Kujtojmë se në audiencë ishte i pranishëm një delegacion austriak, ardhur nga Mariaceli, që i dha Papës titullin “Qytetar nderi”, pasi e pati pritur dy vjet më parë, në muajin shtator, në Shenjtëroren e lashtë mariane, e cila kremtonte 850- vjetorin e themelimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.