2009-01-21 13:45:10

Kush është me Krishtin, s’ka kurrfarë frike


(14. 01. 2009 RV)Të dashur vëllezër e motra,
Ndërmjet Letrave të Shën Palit, gjejmë dy, drejtuar Kolosianëve e Efezianëve, të cilat në një farë mase mund të konsiderohen binjake. E kjo, sepse si njëra, ashtu edhe tjetra, kanë shprehje, që gjinden vetëm ndër to, e është llogaritur se një e treta e fjalëve të Letrës drejtuar Kolosianëve, gjindet edhe në atë, drejtuar Efezianëve.
Për shembull, ndërsa në Letrën drejtuar Kolosianëve lexohet fjalë për fjalë ftesa:Këndoni Hyjit me gjithë zemër e plot mirënjohje psalme, himne lavdie e këngë të përshpirtshme (Kol 3,16), në Letrën drejtuar Efezianëve të krishterët këshillohen njëlloj “të jetojnë në shoqëri me njëri-tjetrin e ta kalojnë kohën me himne e me këngë shpirtërore, duke i lartuar këto në nderë e në lavdi të Zotit, me gjithë zemër” (Ef 5,19). Mund të meditojmë mbi këto fjalë: zemra duhet të këndojë, e kështu edhe zëri, me psalme e me himne, për të hyrë në traditën e lutjes së mbarë Kishës së Besëlidhjes së Vjetër e të Re; mësojmë kështu të jemi të bashkuar me njëri-tjetrin e me Hyjin. Përveç tjerash, në të dyja Letrat gjejmë të ashtuquajturin ‘kod shtëpijak’, që mungon në Letrat e tjera të Shën Palit, domethënë një sërë porosish për burrat e gratë, prindërit e bijtë, zotërinjtë e skllevërit (cfr përkatësisht Kol 3,18-4,1 e Ef 5,22-6,9).

Edhe më e rëndësishme është të vëresh se vetëm në këto dy Letra Jezu Krishti kujtohet me titullin ‘kryet’, kefalé. E ky titull përdoret me dy kuptime. Në kuptimin e parë, Krishti paraqitet si kryet e Kishës (cfr Kol 2,18-19 e Ef 4,15-16). E edhe kjo ka dy kuptime: së pari kuptojmë se ai është sundimtari, drejtuesi, përgjegjësi, që i prin bashkësisë së krishterë si kryet e saj e Zoti i saj (cfr Kol 1,18); “Ai është edhe kryet e trupit, domethënë Kishës”; e pastaj kuptimi tjetër, Ai është si kryet, që lidh me nerva e gjallëron të gjitha gjymtyrët e korpit, të cilin e kryeson (në të vërtetë, sipas Kol 2, 19, duhet mbajtur lidhje me kryet, nëpërmjet të cilit i gjithë trupi, i ushqyer e i lidhur nëpër pejza e lidhëza, rritet me rritjen e Zotit). E kjo do të thotë se nuk është vetëm një që komandon, por një që është i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me ne, nga i cili vjen edhe forca për të vepruar në mënyrë të drejtë.
Në të dyja rastet, Kisha i nënshtrohet Krishtit, si për të ndjekur drejtimin e tij të lartë – urdhërimet – ashtu edhe për t’i pranuar të gjitha ndikimet e tij jetike. Urdhërimet e tij nuk janë vetëm fjalë, urdhëra, por janë forcë jetike, që vijnë prej tij e na ndihmojnë.

Kjo ide zhvillohet në mënyrë të posaçme në Letrën drejtuar Efezianëve, në të cilën deri misteret e Kishës, në vend që të jepen nga Shpirti Shenjt (si te 1 Kor 12), jepen nga Krishti i ngjallur: është Ai, “që disa i caktoi porsi apostuj, të tjerë, mandej, si profetë, prap të tjerë porsi ungjilltarë, të tjerë porsi barinj e mësues” (4,11). E është Ai, “prej të cilit gjithë trupi fiton harmoni e kompaktësi nëpërmjet çdo lloj gjymtyre, e cila nga ana e vet ushqen pjesët e tjera, simbas energjisë së veçantë e në ketë mënyrë korpi në vetvete shkon duke u rritur në dashuri” (4,16). Krishti dëshiron “ta bëjë Kishën e vet t’i dalë para plot lumni, pa asnjë njollë apo hije rrudhe a çfarëdo të mete tjetër të ngjashme me këto, por shenjte e të papërlyer” (Ef 5,27): me këtë na thotë se forca me të cilën e ndërton Kishën, me të cilën i prin Kishës, me të cilën i tregon rrugën e drejtë Kishës, është pikërisht dashuria e Tij.

Kështu pra, kuptimi i parë është Krishti kryet e Kishës: si në kuptimin e prijësit, ashtu edhe të frymëzuesit e të gjallëruesit për virtyt të dashurisë së Tij. Pastaj, në kuptimin e dytë, Krishti është jo vetëm krye i Kishës, por edhe krye i pushteteve qiellore dhe i mbarë kozmosit. Kështu në Letrën drejtuar Kolosianëve, lexojmë: “i çarmatosi principatat e pushtetet, i bëri këta botërisht të marrin pjesë në kalimin ngadhënjyes” të Tij (2,15). Po kështu, në Letrën drejtuar Efezianëve, shkruhet se me ngjalljen e tij, Hyji e vuri Krishtin “përmbi çdo rend principate e autoriteti, mbi çdo pushtet e mbi çdo zotërues e mbi çdo tjetër emër, që mund të jepet jo veç në këtë shekull, por edhe në atë të ardhshmin” (1,21). Me këto fjalë të dyja Letrat na dorëzojnë një mesazh jashtëzakonisht pozitiv e të frytshëm. Këtë: Krishti nuk ka pse të ketë frikë nga asnjë konkurrues i mundshëm, sepse qëndron mbi çfarëdo forme të pushtetit, që do të mendonte ta poshtëronte njeriun. Vetëm Ai “na deshi e dhuroi vetveten për ne” (Ef 5,2). Prandaj, në se jemi të bashkuar me Krishtin, nuk duhet të kemi frikë nga asnjë armik e nga asnjë fatkeqësi; por kjo do të thotë se duhet të lidhemi fort me Të, pa u shkëputur kurrë.

Për botën pagane, që besonte në një botë përplot me shpirtra, në shumicën e rasteve të rrezikshëm, përballë të cilëve njeriu duhet të mbrohej, kumti sipas të cilit Krishti ishte ngadhënjyesi i vërtetë e se ai që ishte me Krishtin, nuk duhet të kishte frikë nga askush, dukej si çlirim i vërtetë. E njëjta gjë vlen edhe për paganizmin e sotëm, sepse edhe ndjekësit e sotëm të ideologjive të ngjashme e shikojnë botën përplot me fuqi kërcënuese. Këtyre duhet t’u kumtojmë se Krishti është fitimitari, kështuqë kush është me Krishtin, kush rri i bashkuar me Të, nuk duhet të ketë frikë nga asgjë e nga askush. Më duket se kjo është shumë e rëndësishme edhe për ne, që duhet të mësohemi t’u bëjmë ballë të gjitha frikërave, sepse Ai është mbi çdo sundim, është Zotëria i vërtetë i botës.

Madje mbarë kozmosi i nënshtrohet Atij, e në Të përmblidhet, si në kryet e vet. Janë të famshme fjalët e Letrës drejtuar Efezianëve, të cilat flasin për planin e Zotit “që t’i përmbledhë në Krishtin të gjitha sendet, ato të qiellit, sikurse ato të tokës” (1,10). Njëlloj në Letrën drejtuar Kolosianëve lexohet se: “në Të u krijua çdo gjë, në qiell e në dhe, çka shihet e çka nuk shihet” (1,16) e se “me gjakun e kryqit të tij ... pajtoi me vete gjithçka si në qiell, ashtu në dhe”(1,20). Prandaj nuk është, nga njëra anë, bota e madhe materiale, e nga ana tjetër realiteti i vogël i historisë së tokës sonë, bota e njerëzve: gjithçka është një në Krishtin. Ai është kryet e kozmosit; edhe kozmosi u krijua prej Tij, u krijua për ne, me që jemi të bashkuar me Të. Është një vizion racional e personalistik i universit. E, mendoj, vizion më universalistik se ky as që mund të konceptohej, e ky i përshtatet vetëm Krishtit të ngjallur. Krishti është Pantokrátor, të cilit i nënshtrohen të gjitha sendet: mendimi të shkon pikërisht tek Krishti Pantokrátor, që mbush përplot gungat absidale të Kishave bizantine, ku paraqitet i ulur lart, mbi botën mbarë, ose mbi ylberin, për të treguar barazinë me vetë Hyjin, në të djathtën e të cilit rri ndenjur (cfr Ef 1,20; Kol 3,1), e prej këndej edhe rolin e tij të pashoq si prijës i fateve njerëzore.

Një vizion ky, që mund të konceptohet vetëm nga Kisha, jo në kuptimin se ajo dëshiron të përvetësojë padrejtësisht atë që nuk i përket, por në një kyptim tjetër, të dyfishtë: si për arsyen se Kisha e pranon që, në një farë mënyre, Krishti është më i madh se ajo, me që zotërimi i tij shtrihet edhe përtej kufijve të saj, ashtu edhe sepse vetëm Kisha cilësohet si korpi i Krishtit, e jo kozmosi. E gjithë kjo do të thotë se ne duhet t’i shikojmë me sy pozitiv realitetet tokësore, sepse Krishti i përmbledh në vetvete, e njëkohësisht duhet ta jetojmë plotësisht identitetin tonë të veçantë kishtar, që është më afër identitetit të vetë Krishtit.

Kemi pastaj edhe një koncept tjetër të veçantë, tipik për këto dy Letra e është koncepti i ‘misterit’. Një herë flitet për “misterin e vullndetit” të Hyjit (Ef 1,9) e herë të tjera për ‘Misterin e Krishtit’ (Ef 3,4; Kol 4,3), madje flitet edhe për ‘misterin e Hyjit, që është Krishti, në të cilin fshihen të gjitha thesaret e urtisë e të dijes” (Kol 3,2-3). E kjo është shenjë e planit të pashqyrtueshëm hyjnor mbi fatet e njeriut, të popujve e të botës. Me këtë gjuhë të dy Letrat na thonë se kuptimi i këtij misteri gjindet në Krishtin. Në se jemi me Krishtin, edhe pse me mendje nuk mund ta kuptojmë gjithçka, e dimë se jemi në bërthamën e ‘misterit’ e në rrugën e së vërtetës. Është Ai , në tërësinë e tij, e jo vetëm në një aspekt të vetjes së tij ose në një çast të jetës së tij, që përmbledh në vetvete përmbushjen e planit të pashqyrtueshëm hyjnor të shëlbimit. Në të merr trajtë ajo, që quhet “dija e gjithanëshme e Hyjit” (Ef 3,10), sepse në Të “gjindet e mishëruar gjithë plotnia e Hyjnisë” (Kol 2,9). Prandaj tani e tutje nuk është e mundur të mendosh e ta adhurosh dashamirësinë e Hyjit, gatishmërinë e tij sunduese, pa u ballafaquar personalisht me vetë Krishtin, në të cilin ky ‘mister’ mishërohet e mund të konceptohet qartë. Arrihet, kështu, tek kundrimi i “visareve të pashqyrtueshme të Krishtit” (Ef 3, 8), që kapërcejnë çdo njohuri njerëzore. E jo sepse Hyji nuk la gjurmë të kalimit të tij, mbasi vetë Krishti është gjurmë e Hyjit, gjurma e tij më e thellë; por kuptohet menjëherë “se cila është hapësia, gjatësia, lartësia e thellësia” e këtij misteri, që kapërcen çdo njohuri (Ef 3,18-19). E, duke e ditur mirëfilli se shumë sende qëndrojnë mbi aftësitë tona racionale, duhet të kemi besim tek kundrimi i përvujtë e i gëzueshëm jo vetëm i mendjes por edhe i zemrës. Etërit e Kishës na thonë se dashuria kupton shumë më tepër sesa vetë arsyeja.

Duhet shtuar edhe ndonjë fjalë për konceptin e mësipërm, që e shikon Kishën si fat të Krishtit. Në Letrën e dytë drejtuar Korintianëve, Pali e pati krahasuar bashkësinë e krishterë me një të fejuar, duke shkruar kështu: “Unë, në të vërtetë, kam si një farë zilie hyjnore ndaj jush, mbasi jam unë, që ju fejova për të njëjtin dhëndërr, për t’ju paraqitur porsi vashë të panjollë para Krishtit (2 Cor 11,2). Letra drejtuar Efezianëve e zhvillon më tej këtë figurë, duke saktësuar se Kisha nuk është vetëm e fejuara, por nusja e vërtetë e Krishtit. Ai e fitoi e këtë e bëri me çmimin e vetë jetës së tij: siç thotë teksti “dhuroi vetveten për të” (Ef 5, 25). Cila dëshmi e dashurisë mund të jetë më e madhe se kjo? Por mbi të gjitha, ai shqetësohet për bukurinë e saj: jo vetëm për atë që e fitoi me Pagëzimin, por edhe për atë që duhet të rritet çdo ditë, falë një jete shembullore “pa rrudha e pa njolla”, në sjelljen e saj morale (cfr Ef 5,26-27). Prej këtu e tek përvoja e zakonshme e martesës së krishterë rruga është e shkurtër; madje nuk është krejt e qartë për kë e kishte fjalën autori, kur nisi letrën: për lidhjen Krisht-Kishë, në dritën e së cilës duhej menduar për bashkimin e burrit me gruan, apo për lidhjen bashkëshortore, në dritën e së cilës duhej menduar për lidhjen ndërmjet Krishtit e Kishës. Por të dy këto aspekte e ndriçojnë anasjelltas njëri-tjetrin: mësojmë ç’është martesa, në dritën e bashkimit të Krishtit me Kishën; mësojmë sesi Krishti bashkohet me ne, duke menduar për misterin e martesës. Sidoqoftë, letra është në gjysmë të rrugës ndërmjet Ozesë profet, që fliste për lidhjen ndërmjet Hyjit e popullit të tij, duke përdorur termin e dasmës së kryer (cfr Oz. 2,4.16.21) e Vegimtarit të Zbulesës, që do ta shpjegonte takimin eskatologjik të Kishës me Qengjin, si martesë gazmore e pa të metë (cfr Ap 19,7-9;21,9).

Ka ende shumë për të thënë, por më duket se, nga sa thamë, mund të kuptohet që këto dy Letra përmbajnë një katekizëm të madh, nga i cili mund të mësojmë jo vetëm si të jemi të krishterë të mirë, por edhe si të bëhemi njerëz të vërtetë. Në se nisim të kuptojmë se kozmosi është gjurma e Krishtit, mësojmë të krijojmë marrëdhënie të drejta me kozmosin e me të gjitha problemet e mbrojtjes së tij. Mësojmë ta shikojmë me arsye, por me një arsye të vënë në lëvizje nga dashuria, me përvujtëri e respekt, që na krijojnë mundësitë të veprojmë në mënyrë të drejtë. E po të mendojmë se Kisha është korpi i Krishtit, se Krishti flijoi për të vetveten, mësojmë si të jetojmë me Krishtin, me një dashuri të anasjelltë, dashuri që na bashkon me Hyjin e na bën të shikojmë tek tjetri fytyrën e Krishtit, të vetë Krishtit. Ta lusim Zotin të na ndihmojë ta meditojmë mirë Shkrimin Shenjt, Fjalën e tij, e të mësojmë kështu të jetojmë vërtetë mirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.