Sot Kisha përkujtoi Shën Fabianin e Shën Sebastianin
(20.01.2009 RV)Fabiani, Papë
i Romës për katërmbëdhjetë vjet (nga 10 janari i vitit 236 deri më 20 janar 250),
luajti një rol të dorës së parë në organizimin e Kishës. E ndau Romën në shtatë diakoni,
për t’i ndihmuar më mirë të varfërit. Sistemoi varrezat e krishtera e mbarti eshtrat
e Papës Ponciani, vdekur në internin, në minierat e Sardenjës. Me të figura e ipeshkvit
të Romës fitoi një autoritet aq të madh, sa ta shqetësonte seriozisht edhe perandorin
Decio, i cili mori pushtetin më 249, pasi mbyti kundërshtarin e tij, Filipin Arab.
Decio, për të forcuar nga brenda perandorinë, e cila nga jashtë kërcënohej në të katër
anët prej barbarëve, mori vendim që të gjithë nënshtetasit të shpallnin solemnisht
besnikërinë ndaj paganizmit, duke kryer një akt publik kulti me flijimin e një bagëtie.
Si ta bënin këtë, do të merrnin një çertifikatë, që vërtetonte se ishin paganë të
vërtetë e, prej këndej, besnikë të perandorisë romake. Përballë një kërkese të tillë,
të krishterët, për të cilët flijimi para idhujve do të thoshte mohim i Krishtit, mbajtën
tre qëndrime të ndryshme, qëndrime që mbajnë njerëzit në të gjitha kohët përballë
përdhunës: grupi i parë, për shkak të frikës a të interesit, mohoi. Grupi i dytë
u mundua të gjente një rrugë të ndërmjetme: të siguronte me çdo kusht çertifikatën,
pa flijuar para idhujve. Edhe ky, mohim i Krishtit, ndonëse i maskuar. Grupi i të
krishterëve të bindur, që e dinin se në fe shtigjet e tërthorta quhen tradhti, refuzoi
publikisht të flijonte para idhujve. I pari që nuk pranoi, ishte Papa Fabiani.
Nuk e mbytën në cirk, as nuk e martirizuan. E flakën në një nga qelitë e tmerrshme
të burgjeve romake dhe e lanë aty, derisa u shua nga etja e nga uria. Të krishterët
e varrosën në varrezën e Shën Kalistit, gjatë Rrugës Apia, duke e nderuar si martir;
e epitafi i vënë mbi varrin e tij, ka arritur deri në ditët tona.
Shën
Sebastiani lindi në Milano, por jetoi më shumë në Romë, ku shkoi për të ngushëlluar
të krishterët e persekutuar, duke punuar si oficer në Rojën Pretoriane. Si u zbulua
se ishte i krishterë, u dënua me vdekje nga perandori Dioklecian, të cilit i shërbente.
Për këtë qëllim u caktua pikërisht skuadra e shigjetarëve afrikanë, që komandonte,
të cilët e gjuajtën për vdekje me shigjeta, pasi e lidhën për një dru. Kështu paraqitet
edhe në ikonografi. Figura e Shenjtit, djalosh i ri, me trup të përkryer, është
trajtuar shpesh ndër artet figurative, duke i dhuruar thesarit të kulturës botërore
disa kryevepra në pikturë e skulpturë. Shën Sebastiani është edhe një nga figurat
kryesore të romanit të famshëm "Fabiola ose Kisha e katakombave", shkruar nga kardinali
Nicholas Wieseman më 1854, përkthyer shqip nga Imzot Vinçenc Prennushi.