Betohet Barak Obama: "Zgjedhim shpresën në vend të frikës". Telegram i Papës Benedikti
XVI
(20.01.2009 RV)Duke i siguruar
lutjen e tij për mandatin si president i SHBA-ve, Papa Benedikti XVI shpreh, në një
telegram dërguar Barak Obamës, dëshirën që kreu i ri i shtetit të nxisë “mirëkuptimin,
bashkëpunimin dhe paqen ndërmjet kombeve”. Papa i lutet Zotit që presidenti
i ri amerikan të marrë përsipër përgjegjësitë e tij me mençuri dhe forcë dhe i uron
SHBA-ve të vazhdojnë të mbajnë gjallë trashëgiminë e tyre fetare e politike dhe parimet
etike të nevojshme për të bashkëpunuar në ndërtimin e një shoqërie me të vërtetë të
drejtë e të lirë, në të cilën të respektohet dinjiteti, barazia dhe të drejtat për
çdo anëtar, në veçanti për të varfërit, të mënjanuarit e për ata që nuk kanë zë. Pikërisht
në këtë moment, kujton Ati i Shenjtë, kaq shumë vëllezër e motra në botë aspirojnë
të lirohen nga varfëria, uria e dhuna. Ndërkaq, në Uashington, rreth dy milion
vetë morën pjesë në ceremoninë e hyrjes së presidentit të 44-t amerikan në Shtëpinë
e Bardhë. Megjithëse temperatura ishte mjaft afër zeros, askush nuk mungoi në momentin
kur presidenti i ri u betua mbi Biblën e Linkolnit. Amerika zgjodhi shpresën në
vend të frikës: kështu e filloi fjalimin e vet Barak Obama. Një fjalim, që i ftoi
amerikanët të ndjekin një kulturë të tipit të ri, të shfrytëzojnë mundësinë për ndryshime,
të përveshin mëngët për t'u dhënë të gjithëve një jetë dinjitoze. Ky është vendi i
të gjithëve, theksoi presidenti i ri, i cili premtoi marrëdhënie të reja me Islamin,
largimin e shpejtë nga Iraku, kritikoi ashpër ata që e shkatërruan ekonominë për shkak
të papërgjegjësisë e të ambicieve, u dha një mesazh të qartë terroristëve se do të
ndeshen me shpirtin e përtërirë amerikan, për të cilin vlejnë akoma idealet e etërve
themelues, të panegociueshme për hir të sigurisë. Premtoi gjithashtu të punojë për
të zgjidhur problemin e ngrohjes së planetit, por sidomos i dha popullit amerikan
sigurinë se sfidat që ka përpara do të përballohen me përgjegjësinë e një kombi të
madh e të rëndësishëm. Pavarësisht nga tonet entuziaste, sot ishte një ditë historike
jo vetëm për SHBA-të. Deri 40 vjet më parë e madje edhe tani, në shumë shtete të këtij
vendi të madh akoma nuk është arritur integrimi i plotë i zezakëve në shoqëri, e megjithatë,
një president me lëkurë të zeshkët ngjitet në fronin më të lartë të presidencës. Të
dëgjojmë komentin e prof. Xhon Harper të Universitetit “Xhon Hopkins” në Bolonja të
Italisë: Sigurisht që është një ditë historike: pak mendonin se do t’ia arrinin
kësaj dite pesë ose dhjetë vjet më parë. Dëshmon faktin se marrëdhëniet racore në
Amerikë janë përmirësuar, gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit. Edhe pse Obama nuk
ka marrë shumicën e votave nga elektorati i bardhë, gjithsesi ka fituar mbështetjen
vendimtare të një pjese të rëndësishme të tij, e kjo, sigurisht, është një fakt domethënës. Profesor,
Obama jep mesazhe shprese, bashkimi, premton masa për një barazi më të madhe shoqërore.
Gjithsesi, gjen një vend në ankth për krizën ekonomike e ka përpara sfida të rënda
edhe në arenën ndërkombëtare. Objektivisht, ç’mund të realizojë? Kam frikë
se disa gjëra që priten nga Obama nuk do të realizohen, sepse realiteti në të cilin
ai duhet të punojë është i ndërlikuar dhe me shumë pikëpyetje. Për shembull, në sistemin
politik amerikan është gati e pamundur të ndiqet një politikë e jashtme dinamike dhe
ambicioze sëbashku me një politikë të brendshme të të njëjtit lloj. Atij do t’i duhet
të përqëndrohet pa tjetër në çështjet e brendshme, ku, sipas meje, mund të bëjë diçka
për të vënë në lëvizje ekonominë amerikane, por ndërkaq, pa tjetër, do t’i duhet të
lërë mënjanë disa sfida të jashtme, të paktën për momentin. Pastaj, ai vepron brenda
parametrave të pranuara si nga Klinton, ashtu edhe nga Xhorxh Bush: janë parametrat
e politikës së jashtme amerikane të tipit “perandorak”, që do të thotë me impenjime
në çdo kënd të botës. Ata që mendojnë se kjo do të ndryshojë, se do të kemi një kthesë
të vërtetë në politikën e jashtme amerikane, do të mbeten të deziluzionuar. Parashikoj
më tepër vazhdimësi se sa ndryshime në nivelin e politikës së jashtme. Profesor
Harper, imazhi i SHBA-ve si superfuqi botërore është mjegulluar pak gjatë këtyre viteve.
Tani, bota po e sheh Amerikën me një sy tjetër. Me Obamën ndoshta kthehemi tek përmasa
e Amerikës si lokomotiva e shpresa e demokracive të globit? Sigurisht, Obama
do të përpiqet t’i realizojë këto shpresa, të mos i deziluzionojë njerëzit. Për shembull,
vetëm fakti se është në Shtëpinë e Bardhë u çon të gjithëve një mesazh shprese. Por,
siç thashë, në thelb është e vështirë që të ndryshojë kurs radikalisht, për shembull
në Lindjen e Mesme: është e vështirë. Mundësia e manovrimit është e vogël e kam frikë
se nuk do të kemi ndryshime të rëndësishme. Gjithashtu, Obama ka ndërmend të vazhdojë
me më tepër energji luftën në Afganistan, e për mendimin tim, ky nuk do të jetë një
vendim i mirë. Por është gati i detyruar – meqë dëshiron të largohet nga Iraku – të
mos e lërë mënjanë, të mos e braktisë Afganistanin. Të flasim për pikat e
kontaktit me Evropën. A janë vërtet kaq të forta? Po. Në krahasim me administratën
e kaluar, ka më tepër pika takimi e simpatie në nivelin kulturor, ndërmjet Obamës
dhe evropianëve. Ato janë kriza e ambientit, Protokolli i Kiotos për problemin e ngrohjes
së planetit, mbyllja e burgut të Guantanamos etj. Por, është e vërtetë edhe se Obama
ka shumë mundësi t’u kërkojë më shumë evropianëve: për shembull, impenjimin në Afganistan
e në Lindjen e Mesme. Nuk e di nëse kërkesa për të bërë më shumë, për të dërguar më
shumë ushtarë, do të pritet mirë në Evropë. Mund të parashikohen mosmarrëveshje e
tensione mbi këtë pikë.