Sot Kisha katolike përkujtoi Shenjtorët Mario, Marta, Abako e Audifaçe.
(19.01.2009 RV)Emri ‘Mario’ vjen nga keltishtja e do të thotë ‘burrë’, por
populli beson se është gjinia mashkullore e emrit femëror ‘Maria’. Dëgjohet edhe në
Shqipëri e në Kosovë si në trajtën e parë, Mario, ashtu edhe në trajtën Marian. E
kjo, sepse kulti që lidhet me Virgjërën Mari, njihet edhe si kult marian. Shenjti
legjendar, Mario, arriti në Romë së bashku me gruan, Martën, e me fëmijët: Abakon
e Audifaçen nga Persia e largët, për të nderuar reliket e martirëve, siç bënin shumë
të krishterë në atë kohë. Duhet të jetë nisur për shtegtim rreth viteve 268-270, në
kohën e sundimit të perandorit Klaudi II, kur kishte pushuar përkohësisht persekutimi
kundër të krishterëve. Me sa mësojmë nga data e martirizimit, duhet të jetë vendosur
në Romë, ku po përhapej me shpejtësi të jashtëzakonshme feja e re, krishtërimi. E
aty ishte edhe në kohën kur Diokleciani, i shtyrë nga konsulli Galerio, shpalli tre
edikte, pas të cilave rinisi një nga persekutimet më të tmerrshme kundër nxënësve
të Krishtit. Atëherë Mario e familjarët e tij u akuzuan se kishin varrosur gjatë
rrugës romake Salaria trupat e 260 martirëve, që kishin mbetur mbi dhe me koka të
prera. U dënuan me vdekje. Pësuan të njëjtin fat, si njerëzit që kishin varrosur,
duke u martirizuar nën prefektin Flaviani. Reliket e Shën Marios nderohen në kishat
romake të Shën Adrianit e të Shën Prasedes.