2009-01-19 18:19:42

Papa në Engjëllin e Tënzot: të ndalohet tragjedia në Rripin e Gazës!


(19.01.2009 RV)RealAudioMP3 Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar si zakonisht në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa ngriti rishtas me forcë zërin, duke bërë thirrje ‘t’i jepet fund dhunës së pashembullt, që vijon të mbjellë vdekje e shkatërrime në Rripin e Gazës.” Ati i Shenjtë i inkurajoi të gjithë ata, që po përpiqen t’i japin fund kësaj tragjedie në Tokën Shenjte, duke uruar një proces të ri e guximtar për vendosjen e paqes në zonë. Në Ditën botërore të emigrantit e të refugjatit, Papa tërhoqi vëmendjen e opinionit publik mbi qindra mijëra emigrantët, që shpesh herë jetojnë në kushte dramatike. E akoma, kujtoi fillimin e javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, duke i nxitur besimtarët t’i shpejtojnë hapat në rrugën e ekumenizmit.
Të ndalohet tragjedia që po luhet në Tokën Shenjte. Në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot Papa ngriti përsëri zërin për të kërkuar t’i jepet fund konfliktit në Rripin e Gazës. Ati i Shenjtë i kujtoi Zotit qindra fëmijët, pleqtë e gratë, viktima të pafajshme të një dhune të pashembullt dhe i ftoi besimtarët t’i shoqërojnë me lutje përpjekjet që po bëjnë shumë njerëz vullnetmirë:

“Shpresoj plotësisht se do të përfitohet, me urti, nga shtegu i hapur për rifillimin e armëpushimit dhe për të gjetur rrugëzgjidhje paqësore e të qëndrueshme. Duke pasur parasysh këtë, i nxis përsëri të gjithë ata që, nga njëra palë e nga tjetra, besojnë se në Tokën Shenjte ka vend për të gjithë, t’i ndihmojnë njerëzit e tyre të ringrihen në këmbë nga gërmadhat e terrorit e, me guxim, të rilidhin fillin e dialogut në drejtësi e vërtetësi. Kjo është rruga e vetme që mund të sigurojë një ardhmëri me paqe për bijtë e kësaj toke të dashur”.

 
Nga vuajtjet e popujve të Tokës Shenjte, tek ato të emigrantëve. Në Ditën botërore të emigrantit e të refugjatit, Papa kujtoi Shën Palin, misionarin endacak të Ungjillit i cili, nga persekutues i të krishterëve u shndërrua në ambasador të Krishtit të ngjallur, për t’ua bërë të njohur të gjithëve:

“Ky është edhe misioni i Kishës, më shumë se kurrë sot, në epokën e globalizimit. Si të krishterë, nuk mund të mos e ndjejmë nevojën t’ua transmetojmë mesazhin e dashurisë së Jezusit posaçërisht atyre, që nuk e njohin, ose që ndodhen në situata të vështira a të dhimbshme”.

 
Realiteti i emigrantëve - tha Papa - është i larmishëm, por shumë shpesh, për fat të keq, edhe i mundimshëm, i vështirë e nganjëherë dramatik. Secili nga ne, sipas thirrjes së vet e atje ku jeton e punon - vijoi Benedikti XVI - është i ftuar ta kumtojë Ungjillin me kujdes më të madh për këta vëllezër e motra të cilët, nga vende të ndryshme e për arsye nga më të ndërlikuarat, erdhën të banojnë mes nesh, duke e vlerësuar fenomenin e emigracionit si rast takimi ndërmjet qytetërimeve:

“Të lutemi e të veprojmë, që kjo të realizohet gjithnjë në mënyrë paqësore e ndërtimtare, me respekt e dialog, duke ia prerë rrugën çdo tundimi, që mund të çojë në lindjen e konfliktit e në përdorimin e dhunës”.
 
Më pas mendimi i Papës shkoi tek detarët e peshkatarët, të cilët kohët e fundit po jetojnë çaste shumë të vështira për shkak të piraterisë e të peshkimit të paligjshëm. E, akoma, duke iu drejtuar përfaqësuesve të bashkësisë katolike të emigrantëve të pranishëm në Romë, përshëndeti në mënyrë të posaçme të gjithë mërgimtarët, që jetojnë në Itali:
 
“Të dashur miq, ju përsëris fjalët e Shën Palit Apostull: në Kishë ju nuk jeni të huaj e as mysafirë, por bëni pjesë në familjen e Hyjit. Uroj të përfshiheni mirë në bashkësinë krishtere e civile, me pasurinë e fesë e të traditave tuaja”.
 
Papa kujtoi edhe Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve, që filloi dje e do të përfundojë të dielën e ardhshme, me kremtimin e Lutjeve mbrëmësore në bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës. U ndalua posaçërisht tek tema e Javës, shkëputur nga Libri i Ezekielit Profet. “Le të jenë të bashkuar në dorën tënde”. Është ftesë për t’u pranuar - nënvizoi - me qëllim që të krishterët të ecin pa ngurrim drejt bashkimit të plotë:

“U drejtohem posaçërisht katolikëve të shpërndarë nëpër botë që, të bashkuar në lutje, të mos lodhen kurrë së punuari për t’i kapërcyer vështirësitë, të cilat e pengojnë akoma bashkimin e plotë ndërmjet dishepujve të Krishtit. Impenjimi ekumenik është më urgjent sot, për t’i dhënë shoqërisë sonë, të trazuar nga konflikte e përçarje, një shenjë e një nxitje për pajtim e paqe”.

 
Edhe një herë Papa kujtoi Takimin VI të familjeve, që përfundoi pikërisht dje në Qytetin e Meksikos e, posaçërisht, videomesazhin e tij drejtuar përfaqësuesve të familjeve nga mbarë bota, pjesëmarrëse në Takim.







All the contents on this site are copyrighted ©.