2009-01-19 17:34:15

Benedikti XVI delegacionit luteran finlandez: të thellojmë dialogun për temën e Kishës si bashkim në Krishtin


(19.01.2009 RV)RealAudioMP3 Sot paradite Benedikti XVI pati një audiencë të rëndësishme me karakter ekumenik: priti një delegacion luteran, ardhur në Romë për festën e Shën Enrikut. Takimi përkon me Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve, që u hap dje e që sivjet frymëzohet nga një frazë e Ezekielit Profet. Materialin për Javën e lutjes 2009 e përgatiti një grup nga Koreja, e ndarë në dy pjesë. Zgjodhi pikërisht tekstin e Ezekielit, sepse në të shikon përkime të dukshme me situatën në vendin aziatik, ku vijojnë përpjekjet për ribashkim.
Ishte një takim ritual e njëherësh një rast për të thelluar dialogun ekumenik, që Papa e ka në qendër të vëmendjes. Benedikti XVI e priti me shumë përzemërsi delegacionin luteran finlandez, duke e inkuadruar domethënien e vizitës së tij në Romë e në Vatikan në fjalët e Ezekielit profet, që udhëheqin Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve 2009: “Le të jenë të bashkuar në dorën tënde”. Papa kujtoi vegimin e profetit. Ezekieli pa dy copa druri, simbol i dy mbretërive të Judës e të Jozefit, në të cilat ishte i ndarë populli i Hyjit, që bashkohen e bëhen një dru i vetëm (Ez. 37, 15.23). E kjo figurë – vërejti Papa – ka vlerë edhe pas qindra shekujsh:
“In the context of ecumenism…
Në kontekstin e ekumenizmit, kjo figurë na flet për Hyjin, që na tërheq vazhdimisht drejt bashkimit më të thellë me Krishtin, për të na përtërirë e për të na çliruar nga përçarjet tona”.
Rruga për arritjen e këtij qëllimi – reflektoi Benedikti XVI – kalon përmes pohimeve të nënshkruara në një dokument themelor për marrëdhëniet ndërmjet katolikëve e luteranëve. Është fjala për “Deklaratën e përbashkët mbi Shfajsimin”, që mbush dhjetë vjet, por që vijon të studiohet akoma nga Komisioni për dialogun ekumenik në Finlandë e në Suedi: Posaçërisht, pohoi Papa: “Under the theme ‘Justification in the life of the Church’…
Në caqet e temës ‘Shfajsimi në jetën e Kishës’, dialogu ka gjithnjë më shumë parasysh natyrën e Kishës si shenjë e mjet i shëlbimit, realizuar në Jezu Krishtin, e jo thjeshtë si grumbullim i besimtarëve ose si ent me funksione të ndryshme”.
Edhe vetë Shën Pali, të cilin po e kujtojmë në jubileun e dymijëvjetorit të lindjes, na mëson - vijoi Ati i Shenjtë – se Kisha, Korp mistik i Krishtit, udhëhiqet vazhdimisht nga Shpirti i Atit e i Birit. Kisha, si bashkim në Krishtin, mund të kuptohet vetëm mbi bazën e këtij realiteti të mishëruar. E këtu Benedikti XVI shtoi: “Mirëkuptimi për problemet thellësisht kristologjike e pneumatologjike të Misterit të Kishës, do të ishte shumë premtues për punimet e Komisionit:
“It is my fervid hope…
Lidhur me këtë, miq të dashur, shpresoj se vizita juaj në Romë do t’i forcojë më tej marrëdhëniet ekumenike të luteranëve me katolikët në Finlandë, shumë pozitive prej vitesh. Së bashku duhet të falënderojmë Zotin për gjithçka është arritur deri më sot në marrëdhëniet katoliko-luterane e të lutemi që Shpirti i së vërtetës të na prijë drejt një lidhjeje gjithnjë më të ngushtë, në shërbim të Ungjillit”.  







All the contents on this site are copyrighted ©.