2009-01-18 12:32:19

“Familja e shenjtëria”: reflektim i Atë Federiko Lombardit


(18.01.2009 RV)RealAudioMP3 “Familja e shenjtëria”, e titullon reflektimin e fundjavës Atë Federiko Lombardi, duke i bërë jehonë Takimit VI botëror të familjeve e duke vënë përsëri theksin, me forcë, mbi vlerësimin e familjes nga ana e Kishës:

“Të tregojë edhe një herë bukurinë dhe vlerën e familjes, duke ngjallur tek të gjithë energji të reja në favor të kësaj qelize të pazëvendësueshme të shoqërisë e të Kishës”. Këtë uroi Benedikti XVI për takimin botëror të familjeve në Qytetin e Meksikos, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, 14 janar. Audiencë në të cilën - jo rastësisht – Papës iu dhuruan disa relike të bashkëshortëve të Lum, Luigji e Zelia Martin, prindër të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, të lartuar në nderimet e elterit më 19 tetorin e kaluar. Nuk janë bashkëshortët e parë, që Kisha i shpall solemnisht si modele të jetës së krishterë. Kujtojmë se pak vjet më parë u lumnuan bashkëshortët romakë Beltrame Quattrocchi, në praninë e tre fëmijëve të tyre, dy nga të cilët, meshtarë të nderuar.
Tema e Takimit të Meksikës është “Familja e edukon njeriun me vlera humane e kristiane”. Të reflektojmë: Tereza e Lisjë – shenjtore – lindi nga dy prindër, edhe ata shenjtorë. Natyrisht, nuk është automatike. Nuk mjafton që prindërit të jenë të mirë, për të qenë kështu edhe fëmijët. E për fat, edhe fëmijët e prindërve jo të mirë, mund të bëhen njerëz shumë të mirë. Megjithatë nuk mund të mohohet se prindërit e mirë ua hapin më lehtë fëmijëve rrugën drejt virtytetve njerëzore e të krishtera. E në se, pastaj, prindërit janë shumë të mirë, në se i kushtohen me gjithë zemër misionit të tyre të dashurisë, bijtë rriten çdo ditë duke pasur parasysh një shembull, që u krijon mundësinë të zgjedhin lirisht idelat më të larta. Në fjalorin e krishterë kjo shprehet me një fjalë pakëz solemne, por që nuk duhet të na trembë: shenjtëri.
Shkurt: në se prindërit janë të bashkuar, në se e duan njëri-tjetrin e janë të vetëdijshënm për përgjegjësitë e tyre para Zotit e para njerëzve, të gjithë dalin të fituar: ata vetë, bijtë, për fat të tyre, shoqëria njerëzore, bashkësia e Kishës. Atëherë: t’i ndihmojmë ta duan njëri-tjetrin!".







All the contents on this site are copyrighted ©.