2009-01-18 12:34:18

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(18.01.2009 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të dielën e dytë të kohës së zakonshme liturgjike gjatë vitit kishtar dhe ditën e parë të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve me temë: “Zoti është i madh në dashuri. Të jemi të bashkuar. Bashkësia e krishterë përballë përçarjeve të vjetra e të reja”.

 
“Dëgjoje, o Zot, britmën e popullit tënd: të krishterët përballë luftërave e dhunës”- është tema e ditës së dytë të Javës së lutjes, që do të kremtohet të hënën, në festën e Shën Gjermanikut, martir i Filadelfies; Shën Gjonit, ipeshkëv i Ravenës; Shenjtorëve Mario, Marta e Abako, martirë.

Të martën, njëheresh me ditën e tretë të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, do të kremtohen edhe Shën Fabiani papë e martir e Shën Sebastiani martir, që na kujtojnë thirrjen e Psalmistit “Dëgjoje, o Zot, britmën e popullit tënd e na mëso sesi duhet të qëndrojnë të krishterët përballë luftërave e dhunës”.

Të mërkurën, dita e katërt e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, me temë ‘Me jetën time, o Zot, do të këndoj lavdinë tënde: të krishterët përballë krizës ekologjike”, është edhe festa liturgjike e Shën Anjezes, virgjër e martire.

E enjtja është edhe dita e pestë e Javës së lutjes, me temë: “Na bashkon në gëzim dashuria e Zotit. Të krishterët përballë diskriminimit e paragjykimeve shoqërore”. Kisha përkujton Shën Vinçencin, diakon spanjoll e martir, Shën Vinçenc Palotin, meshtar, themelues i Shoqatës së Apostullimit katolik e Shën Anastasin, murg e martir.

Dita e gjashtë e Javës së lutjes e premtja, që na kujton se kush i beson me gjithë zemër Zotit, nuk ka frikë nga asgjë. Kështu edhe të krishterët përballë pluralitetit të feve. Do të përkujtohen Shën Emerenciana, martire romake e Shën Hildefonsi, ipeshkëv i Toledos.
 E shtuna është dita e shtatë e Javës së lutjes. Përshkohet nga brohoria: “Ta lavdërojmë Zotin, është ai paqja jonë, përballë pluralitetit të feve”. Është ditëfeste e Shën Françeskut të Sales, ipeshkëv i Gjenevës, doktor i Kishës, themelues i Urdhërit të Vizitacionit, Pajtor i shtypit katolik.

E diela e ardhshme është e treta e kohës së zakonshme liturgjike gjatë vitit kishtar dhe e teta e Javës së lutjes. Na fton ta bekojmë Zotin, që dhuron jetë, e ta shpallim me guxim shpresën e krishterë, në një botë gjithnjë më të përçarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.