2009-01-18 12:31:00

Përfundoi sot në Qytetin e Meksikos Takimi VI botëror i familjeve.


(18.01.2009 RV) Përfundoi sot në Qytetin e Meksikos, Takimi VI botëror i familjeve, organizuar nga dikasteri papnor përkatës, kryesuar nga kardinali Enio Antoneli. Kujtojmë se katër takime botërore të familjes u mbajtën nën papninë e Gjon Palit II. I pesti, në Valencia të Spanjës, në vitin 2006, në praninë e Benediktit XVI.
Prej Takimit VI botëror, qindra mijëra përfaqësues të familjeve, nga të katër anët e botës, i përcollën të gjitha familjeve të planetit, përvojën e tyre, në një çast vërtetë kritik për jetën e këtij instiucioni themelor e të pazëvendësueshëm sepse, siç tregon edhe tema e e shumëdëshiruar nga Benedikti XVI: “Familja e edukon njeriun me vlera humane e kristiane”.
Gjatë gjithë kësaj jave Meksika u bë qendër e jetës së Kishës universale: në fillim, me një Kongres teologjiko-baritor, që pati në qendër të vëmendjes disa probleme të mprehta, si marrëdhëniet e vlerat familjare, familjen e seksualitetin, rolin edukativ të familjes e çështje të tjera shumë aktuale. Të pranishëm në kongres, rreth 10 mijë specialistë.
Pastaj me kremtimet e djeshme e të sotme. Mbrëmë mijëra e mijëra besimtarë u mblodhën në Shenjtëroren e Zojës së Guadalupes për të thënë së bashku Rruzaren Shenjte, ndërsa sot paradite ndoqën kremtimin eukaristik të së dielës, kryesuar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, i dërguar i Benediktit XVI. Takimi arriti kulmin kur Benedikti XVI u drejtoi fjalën më se një milion pjesëmarrësve të pranishëm, përmes një video-konference. Urohet që ky Takim botëror i familjeve të ushtrojë një ndikim të fuqishëm mbi programet e ardhshme ligjore e baritore në vendet e Amerikës së Veriut, të Qendrës e të Jugut në mbrojtje të jetës e të familjes. E në se moti i mirë duket që në mëngjes, atëherë mund të shpresojmë se kjo do të bëhet realitet, e jo vetëm në Amerikën Latine.







All the contents on this site are copyrighted ©.