2009-01-18 12:33:04

Paragjykimet e pakënaqësitë ndaj emigrantëve nuk pajtohen me Ungjillin.


(18.01.2009 RV)Fenomeni i emigracionit është bërë tashmë i pandalshëm: një gjysëm miliadri njerëz përfshihen në lëvizjen nga një vend, në tjetrin, për arsye nga më të ndryshmet. E pikërisht këta njerëz u nënshtrohen kërcënimeve, paragjykimeve, qëndrimeve që janë në kundërshtim të hapur me Ungjillin. Ndërsa Kisha mobilizon të gjitha mjetet në dispozicion për t’i ndihmuar, duke u përpjekur të ndikojë edhe mbi shoqërinë civile përmes mjeteve të komunikimit. E ky është edhe kuptimi i Ditës botërore të emigrantit, që u kremtua sot.
Për të theksuar ç’rëndësi ka aktualisht fenomeni i emigracionit, po kujtojmë vetëm disa të dhëna statistikore: në vitin 2001, sipas burimeve të OKB-së, numri i emigrantëve në botë ishte 191 milionë, trefishi i emigrantëve të regjistruar në vitin 1967; sot e kanë kaluar 200 milionin, duke përfshirë 3% të popullsisë botërore, sepse fenomeni prek njëlloj si njerëzit që marrin rrugët e mërgimit, ashtu edhe familjarët, që mbeten në vend, duke i ndarë dhimbshëm mijëra familje, të përhapura në mbarë botën. Sot vendet e pasura të veriut të botës sulmohen gjithnjë më shumë nga valë emigrantësh që nisen nga vendet ‘e botës së tretë’, të cilët eufemikisht quhen ‘në rrugë zhvillimi’, por që në të vërtetë nuk kanë kurrfarë zhvillimi shoqëror e as ekonomik. Gjendja është aq dramatike, sa banorët e këtyre vendeve marrin guximin t’i kapërcejnë detet në mes të dimrit, për të arritur në brigjet e premtuara, ku sigurisht nuk i pret – ajo që prisnin! Shqiptari e di mirë ç’do të thotë të kapërcesh detin e ç’të pret në bregun mbatanë, në se arrin shëndosh e mirë!
Kisha i ka në qendër të vëmendjes këta njerëz, e jo vetëm këta, por edhe ciganët e të gjitha llojet e endacakëve, e vetëdijshme se edhe ndërmjet besimtarëve të saj, ka nga ata që i shikojnë si njerëz të kotë, të besdisshmën, madje edhe të rrezikshëm, që mund t’ia prishin rehatinë shumkujt. Po askush nuk mund t’i mbyllë sytë përballë fenomenit të emigracionit, e askujt nuk i lejohet t’i shikojë me lente zmadhuese sjelljet kriminale ose të paqytetëruara që mund të vërehen, duke dhënë pastaj gjykime e duke ushqyer paragjykime, në kundërshtim të plotë jo vetëm me Ungjillin, por edhe me sjelljen e qytetëruar e me normat e bashkëjetesës paqësore. Lidhur me emigracionin Kisha kërkon nga të gjithë besimtarët solidaritet, dashuri të krishterë, ekumenizëm, bashkëjetesë paqësore me përmasa universale, pluralizëm, që e kupton larminë e popujve, të gjuhëve, të kulturave, sepse Kisha ua ka hapur e ua hap dyert gjithë njerëzve, pa dallim race, kulture, etnie!
 







All the contents on this site are copyrighted ©.