2009-01-18 12:36:35

Nga Kisha nëpër botë.


(18.01.2008 RV)Organizatat humanitare për Gazën
Sulmi ushtarak izraelit në Rripin e Gazës, që filloi më 27 dhjetorin e kaluar, si përgjigje kundër raketave të flakura nga fondamentalistët palestinezë, vijon të ndiqet me shumë pesimizëm nga opinioni publik ndërkombëtar.
Prandaj të gjitha organizatat humanitare kërkojnë nga Izraeli ta dëgjojë zërin e shumë prej qytetarëve të tij, që urojnë fillimin e bisedimeve me Hamasin, pavarësisht nga dëshira e këtij të fundit për ta zhdukur shtetin izraelit nga të gjitha hartat e botës. Pas 22 ditë luftimesh të ashpra, Izraeli jep shenja se e ka kuptuar rëndësinë e ndërmjtësimit ndërkombëtar, që mund të ketë shumë më tepër rezultate, sesa vetëmbrojta e izoluar, e cila krijon rrezikun ta bëjë gjithnjë më të largët mundësinë e pajtimit.
Hamasit i kërkohet të heqë dorë një here e përgjithmonë nga dëshira për ta zhdukur Izraelin, gjë që pengon seriozisht vendosjen e paqes në zonë.
E të gjithëve, përpjekja për të krijuar ura, që bashkojnë e jo për t’i shkatëruar me raketa e sulme ajrore, edhe ato që janë ndërtuar deri tani me shumë mundim. Kohë e vështirë për ata që impenjohen në procesin e pajtimit në Gazë e në gjithë Lindjen e Mesme, në sa të dyja palët mjekojnë plagët e thella, hapur nga lufta, varrosin të vdekurit e numërojnë të plagosurit.

Mianamar: Në Mianmar qeveria mbyll shtëpitë e lutjes për të krishterët e myslimanët. Sipas Agjensisë AziaNjuz, regjimi ushtarak i Mianmarit ndalon kremtimin e riteve fetare në ndërtesa private e banesa, pasi ka mbyllur kisha e xhami. Atyre që nuk i binden ligjit, u shtetëzohen ndërtesat e marrin edhe dënime më të rënda. Sipas urdhërit të ri, “ndalohet mbledhja e njerëzve për t’u lutur, për të ndjekur katekizmin ose për të studiuar Kuranin”.


Vietman: Vendimi i marrë kundër tetë katolikëve vietnamez të Thai Ha, akuzuar për sjellje të parregullt dhe dëmtim të pronave shtetërore, do të rigjykohet në gjykatën e apelit. Eshtë një nga rastet e shumta të qëndrimit armiqësor kundër katolikëve, që vërehet kohët e fundit në Vietnam. Prandaj tetë të akuzuarit nuk kërkojnë as mëshirë e as lehtësim të dënimit. Kërkojnë të dalë në shesh e vërteta e të demaskohet gjyqi farsë, tipik për regjimet komuniste.
Ndërkaq mediat qeveritare njoftojnë se ‘të gjithë të akuzuarit e kanë pranuar fajin, duke pohuar se kanë kryer veprime të papranueshme e se kanë shkelur ligjet e vendit”.

Bangladesh: Në Bangladesh java e kaluar ishte ‘Java e Biblës” – organizuar me rasin e Vitit kushtuar Shën Palit. Me këtë rast, në famullinë e Satkirës, në kufi me Bengalin indian, u hap një ekspozitë kushtuar njohjes së Shkrimit Shenjt. Njerëzve, që vizitojnë ekspozitën, u dhurohet Bibla e Jubileut në gjuhën bengaleze, miratuar nga Konferenca ipeshkvnore e vendit.

SHBA: Më 22 janar mijëra amerikanë do të marrin pjesë në marshimin për jetën. Nisma ka filluar që më 22 janar 1973, kur shtatë avokatë të Gjykatës së Lartë të SHBA, miratuan ligjin që legalizonte abortin. Për të kujtuar këtë ditë, çdo 22 janar një turmë e pafundme njerëzish, dashuronjës të jetës, përshkon rrugët e Uashingtonit. Përveç marshimit, do të organizohen edhe një sërë veprimtarish të tjera, në mbrojtje të jetës.

Gjermani: Ipeshkvijtë gjermanë i bëjnë thirrje qeverisë që ta ndihmojë më konkretisht familjen. Prelatët kërkojnë më shumë përkim ndërmjet punës e familjes, duke e quajtur ‘shkandull shoqëror’ faktin se në Gjermaninë e pasur ka akoma prindër që i shikojnë fëmijët si shkaktarë të varfërimit e të keqësimit të kushteve të jetesës. Ipeshkvijtë i bëjnë thirrje shoqërisë gjermane të përpiqet me të gjitha forcat për të lindur e për të rritur fëmijë të sigurtë, të dashur e të shëndoshë.

Brazil: Më 27 janar në Belem të Brazilit do të fillojnë punimet e Forumit Shoqëror Botëror. Ndërmjet tjerash – sipas Agjenisë SIR – do të flitet për nismat në ndihmë të Gazës, do të organizohet një marshim në favelas apo lagjet e varfëra në rrethinat e qytetit, një panair tipik i tregtisë së barabartë dhe ekonomive solidare. Do të marrin pjesë 80 mijë vetë, përfaqësues të 4 mijë organizatave nga 150 vende të ndryshme. Ndërmjet tyre, shumë përfaqësues të Kishës katolike, nga mbarë bota.







All the contents on this site are copyrighted ©.