2009-01-18 12:31:39

Filloi Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve me temë: “Le të jenë të bashkuar në dorën tënde”


(18.01.2009 RV)Filloi sot në të gjitha bashkësitë e krishtera të botës ‘Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve”, sivjet me temë: “Le të jenë të bashkuara në dorën tënde”, shkëputur nga Libri i Ezekileit Profet (37,17). Materialin për Javën e Lutjes 2009 e përgatiti një grup nga Koreja, i cili zgjodhi pikërisht tekstin e Ezekielit, sepse në të shikon përkime të dukshme me situatën në vendin aziatik. Ezekieli, Profet e prift, u thirr nga Hyji në moshën tridhjetë vjeçare e profetizoi ndërmjet viteve 594 -571 para Krishtit, pas pushtimit babilonez e rrënimit të tempullit. Në vitin 587 u internua në Babiloni, ku vijoi të kumtonte se Hyji nuk e kishte thyer besën e lidhur me popullin e vet e t’u bënte thirrje izraelitëve të mos dëshpëroheshin, të besonin në mundësinë e përtëritjes e të ribashkimit të popullit të zgjedhur. Pati dy vegime tepër të guximshme, ndër të cilat, i pari është ai i eshtrave të thara, që rikthehen në jetë me frymën jetëdhënëse të Shpirtit të Hyjit.
Por Java e lutjes frymëzohet nga vegimi i dytë: profeti sheh në vegim dy copa druri, që simbolizojnë dy mbretëritë, në të cilat ishte i ndarë Izraeli, që bashkohen e bëhen një dru i vetëm (Ez. 37, 15.23). Sipas Ezekielit, populli jetonte i ndarë për shkak të mëkateve e të largimit nga Hyji. Rikthimi i tij te Hyji shënon ribashkimin, krijimin e një uniteti që bëhet mesazh shprese edhe për popujt e tjerë e për mbarë njerëzimin.
Kujtojmë se tema e ditës së parë të Javës është “Të bashkuar në dorën tënde (cfr Ez 37, 17) bashkësitë e krishtera përballë përçarjeve të vjetra e të reja”. E kjo, sepse edhe sot bota është në kërkim të unitetit. Është një çast në të cilin të duket gati i pamundur ndërhyrja e Hyjit; bota perëndimore, së cilës nuk i mungojnë mjetet e jetesës, vrapon pas ëndrrave të paarritshme e duket sikur i ka harruar vlerat e vërteta të jetës.
E ashtuquajtura bota e tretë, duket sikur do vdesë për bukën e gojës.
Vetë natyra vijon të ndotet gjithnjë më tepër.
Të krishterët, të çorientuar e të përçarë kanë nevojë urgjente ta bëjnë të vetin vegimin e Ezekielit: të bashkohen, në mënyrë që të formojnë një shkop të vetëm në dorën e Zotit. Kanë vetëm një armë: lutjen, që ia drejtojnë Hyjit, i cili kërkon prej tyre të bëjnë kthesë e të ecin në rrugën e dashurisë e të drejtësisë, që realizohen vetëm mbi kryqin e Jezusit!







All the contents on this site are copyrighted ©.